“Zhytet” industria italiane, regjistron rezultatin më negativ që prej vitit 2012

Prodhimi industrial në Itali ka prekur nivelin më të ulët në 5 vitet e fundit. Gjatë muajit të parë të vitit, prodhimi industrial në vend ka rënë me 2.3% në krahasim me muajin paraardhës, tregojnë të dhënat e fundit. Këto të dhëna rezultojnë shumë larg pritshmërive.
Confindustria projektonte një rënie të prodhimit me vetëm 1.2% gjatë muajit. Shifra e publikuar nga instituti i statistikave në vend, flet për rezultatin më të dobët që prej muajit Janar të vitit 2012, kur prodhimi në sektor binte me 2.8%.
I vetmi komponent pozitiv sipas ISTAT është ai që i referohet prodhimit industrial, dhe që fiksohet në një rritje prej 3.1% gjatë Janarit. Të gjithë komponentët e tjerë janë në rënie, përfshirë atë të mallrave të konsumit, me 1.6%.
Gjatë muajit Dhjetor ndërkohë, prodhimi industrial në vend, në mënyrë të papritur u regjistrua në rritje me 1.4%. Të dhënat e Janarit konfirmojnë se, rezultati i Dhjetorit ishte thjesht i përkohshëm, dhe se sektori vijon të jetë në vështirësi serioze. Gjatë viteve, prodhimi industrial në Itali ka shfaqur një lidhje mjaft të ngushtë me prodhimin e brendshëm bruto. Kjo do të thotë se, të dhënat negative të Janarit do të reflektohen padiskutim edhe në rritjen ekonomike gjatë tremujorit të parë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.