Zjarret drejt shuarjes – Vetëm 5 vatra në 24 orët e fundit
Ulja e temperaturave ka bërë të mundur që numri i vatrave të zjarrit të bie gjatë 24 orëve të fundit. Sipas Emergjencave Civile, në të gjithë vendit janë shënuar vetëm pesë vatra zjarri.
Vatra të vogla zjarri vijojnë të jenë ende aktive në fshatin Skuraj Kurbin, ku shërbimi zjarrfikës së bashku me 30 forca ushtarake kanë punuar me mjete rrethanore për shkak të terrenit malor.
Në kodrat e fshatit Zogaj, Shkodër ka rënë zjarr në pyllin me dushk dhe pisha. Në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar 3 automjete zjarrfikëse dhe 40 forca nga efektivët e Forcave të Armatosura. Puna për izolimin dhe fikjen e plotë të vatrave të zjarrit po vijon.
Zjarri i rënë disa ditë më parë në fshatin Munellë, Pukë ka vazhduar të jetë aktiv. Shërbimi zjarrfikës i Pukës, punonjës të Zonave të Mbrojtura dhe banorë kanë punuar për shuarjen e zjarrit deri në orët e vona të mbrëmjes. Operacioni për shuarjen e zjarrit po vijon edhe ditën e sotme pasi zjarri në disa zona ka rënë në terren shumë të vështirë dhe është e pamundur për të ndërhyrë më forca dhe mjete.
Zjarri i rënë disa ditë më parë në pyllin me pisha në fshatin Poroçan, Gramsh vijon të jetë aktiv. Zjarrfikëset, forcat e bashkisë dhe ato të pyjores kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë punuar por pa mundur të shuajnë flakët për shkak të terrenit malor. Puna për shuarjen e vatrave të zjarrit po vijon ende.
Në fshatin Martanesh Bulqizë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Zjarrfikëset kanë punuar, por nuk kanë mundur ta shuajnë plotësisht. Operacioni për fikjen e zjarrit vijon edhe ditën e sotme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.