Zjarret në zonat turistike – Prençi: Mbi 900 vatra. Çipa: Kapacitetet për mbrojtjen nuk mjaftojnë

Kapacitetet aktuale të sistemit të mbrojtjes civile nuk janë të mjaftueshme për të menaxhuar numrin në rritje të emergjencave civile dhe rehabilitimin e shpejtë të tyre. Kështu është shprehur zëvendësministri i brendshëm Stefan Çipa, gjatë një aktiviteti për mbrojtjen civile. Nisur nga situata aktuale e zjarreve në vend, Çipa u shpreh se kushtëzoi rialokimin e fondeve shtesë për emergjencat civile.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm se fatkeqësitë natyrore dhe ato të shkaktuara nga dora e njeriut nuk njohin kufij dhe asnjë shtet, sado i përgatitur që të jetë, nuk është në gjendje të përballojë i vetëm pasojat e një shkalle të madhe të këtyre fatkeqësive. Fatkeqësitë i kushtojnë miliarda lekë ekonomisë shqiptare dhe kapacitetet aktuale të sistemit të mbrojtjes civile shqiptare janë të pamjaftueshme për të menaxhuar numrin në rritje të emergjencave dhe rehabilitimin e shpejtë të tyre. Mjafton të përmendim situatën aktuale të zjarreve masive në vendin tonë, e cila përveç kohëzgjatjes, qershor 2017 e në vijim, kushtëzoi dhe rialokimin e fondeve shtesë për emergjencat civile”, tha Çipa.
Sipas drejtorit për emergjencat civile, Shemsi Prençi, mbi 900 vatra zjarri janë regjistruar në të gjithë vendin duke nisur nga muaji qershor. Kreu i Emergjencave Civile bëri të ditur se është shqetësuese fakti se zjarret masive gjatë kësaj periudhe kanë përfshirë kryesisht zona turistike, objekte kulti, objekte të rëndësisë shtetërore, banesa, fshatra e biznese, pothuajse në të gjithë Shqipërinë.
Prençi shtoi më tej nevojën për mobilizim nga ana e bashkive, për përballimin e emergjencave civile. Ndërkohë rreth 15 milion euro janë vënë në dispozicion nga ministria e energjisë dhe industrisë për investime në mbështetje të komuniteteve dhe strukturave shtetërore për përballimin e situatës së emergjencave civile.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.