Zona e lirë ekonomike në Spitallë – Ministria e Financave anulon procedurën konkurruese që u hap në muajin mars

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka anuluar procedurën konkurruese për zhvillimin e zonës së lirë ekonomike në Spitallë. Urdhri është firmosur nga ministrja Anila Denaj, ndërsa nuk bëhen me dije detajet që kanë çuar në anulimin e procedurës. Gara për përzgjedhjen e një zhvilluesit në zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik në Spitallë Durrës, u hap në mesin e muajit mars, ndërsa kompanitë do të mund të dorëzonin ofertat e tyre deri në datën 15 prill.
Sipërfaqja e vënë në dispozicion të investiorëve ishte prej 49.1 ha, ndërkohë që afati për të cilin kjo zonë do të kalonte privatit ishte 99 vjet. Kjo nuk është hera e parë që procedurat për zhvillimin e kësaj zone të lirë ekonomike dështojnë. Kjo pasi, në korrik të vitit 2017, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes shpalli fituesin e tenderit për ndërtimin, zhvillimin dhe mirëmbajtjen e zonës së lirë ekonomike në Spitallë, ku sipas njoftimit të asaj kohe, fitues ishte bashkimi i përkohshëm i 3 operatorëve: ”Pelikan” shpk, “The Best Construction” shpk dhe “Vëllezërit Hysa” SHPK.
Oferta e tyre u vlerësua me 71.2 pikë, duke lënë pas ofertën e Edil-Al-IT, e cila arriti të marrë 70.6 pikë. Sipas projektit të paraqitur, bashkimi i operatorëve parashikonte ndërtimin e një fabrike për pasurimin e ferro-kromit, ndërsa vlera e ofertës ishte rreth 39 milionë euro. Por, pavarëisht kësaj nënshkrimi i kontratës nuk u finalizua, Spitalla u shpall zonë e lirë ekonomikë në maj të vitit 2017, duke synuar rritjen e produktivitetit.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.