Zona ekonomike rajonale, Haçkaj: Koncept pozitiv, por nuk pritet të ketë ndikim të madh
Në Samitin e Triestes u diskutuan një sërë çështjesh, por nuk u përmend “Berlin plus” dhe ngritja e një fondi të veçantë investimesh për Ballkanin. Kështu është shprehur në një intervistë për Televizionin SCAN, Drejtori i ShtetiWeb, Ardian Haçkaj.
“Pritjet tona ishin paksa të larta. Ajo që ne nuk e vumë re në këtë samit ishte përmendja e procesit të Berlin Plusit dhe përmendja e në ngritje të një fondi të veçantë investimesh që do mbështeste investimet në infrastrukturën e vendeve të Ballkanit perëndimor, investimet në formimin profesional dual, në investimet në IT, dhe investimet për mbrojtjen e qytetarëve nga pasojat negative të rritjes ekonomike të dezekuilibruar”.
Në këtë Samit nga Agjenda e Konektivitetit u lajmëruan 7 projekte infrastrukturore, ku Shqipëria nuk bënte pjesë. Ndërkohë që vendi ynë për momentin ka fituar financimin e linjës 400 kilovolt me Maqedoninë si dhe ka marrë financim për ndërtimin e hekurudhës që lidh Tiranën me Durrësin nga Rinasi.
“Në vitin e kaluar Shqipëria nuk ka paraqitur projekt infrastrukture për financim, edhe kështu që nuk kishte sesi të merrte projekte infrastrukture, apo te lajmëronte projekte të fituara në këto momente që ndodhej samiti i Triestes. Duhet përmend që Shqipëria ka marrë për momentin në Vjenë financimin e linjës 400 kilovolt, edhe në Paris ka marrë financimin e hekurudhës që lidh Tiranën dhe Durrësin nëpërmjet Rinasit”.
Nëse i referohemi zonës ekonomike rajonale është një koncept pozitiv por që nuk pritet të ketë ndikim të madh, pasi që nga viti 2008 vendet e Ballkanit nuk kanë rritur shkëmbimet e tyre tregtare.
“Vendet e Ballkanit kanë ndaluar të shkëmbejnë, të rrisin shkëmbimet mes tyre që nga viti 2008. Ulja ose ngritja e barrierave nëntarifore në kufi është e vërtet që ul kohën që mallrat kalojnë në kufi në mes këtyre vendeve të Ballkanit, por nuk pritet një ndikim domethënës në shkëmbimin mes këtyre dy vendeve.
Sipas Haçkaj nuk është gjithmonë pozitive që vendet të marrin fonde nga procesi i Berlinit. Kjo pasi një pjesë e fondit është në formën e grantit, ndërsa pjesa tjetër është borxh. Vendi ynë ka marrë pesë grantë më 6 qershor në mbledhjen e radhës të organizuar nga donatorët.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.