‘Zonat e kuqe’ do vazhdojnë me kufizimet, Rama: “Në qershor plani për hapjen e transportit publik”
Kryeministri Rama ka zbuluar detaje të reja gjatë bashkëbisedimit me gazetarët për mënyrën se si do të vijojë rrugëtimi drejt normalizimit të jetës ekonomike dhe sociale të vendit.
Sipas tij lokalet, transporti dhe turizmi janë pikat më të nxehta dhe më të diskutueshme për mënyrën e hapjes së tyre.
Së pari kryeministri foli për Tiranën dhe zonat e tjera të kuqe që do të mbeten ende me lëvizshmëri të kufizuar, ndërkohë që po planifikohet rikthimi i maturantëve në shkolla dhe fëmijëve në kopshte e çerdhe:
“Së pari dua të sjell në vëmendje që masat lehtësuese do të vijojnë. Tirana mbetet një problem ende dhe lehtësimi në zonat e tjera të kuqe për momentin që flasim duket i pamundur dhe këtë javë. Me pjesën tjetër do të vazhdojmë dhe kemi diskutuar edhe lidhur me mundësinë për hapjen e kopshteve dhe çerdheve me 1 qershor publikë dhe jopublikë. Nëse numrat vijojnë stabël ne mund t’i hapim dhe kjo kohë duhet shfrytëzuar për të krijuar kushtet. Edhe për maturantët janë krijuar kushtet që hyjnë në shkolla më 18 maj.
Ndërsa për zonat e gjelbërta kryeministri tha se do të ketë lehtësim qarkullimi dhe zgjatje të orareve. Më tej ai është ndalur tek lokalet që do të ndiqen me shumë vëmendje javën e parë të hapjes, ku lejohen klientët vetëm në ambientet e jashtme, dhe në rast se masat nuk zbatohen do të ketë ndëshkime. Gjithashtu shefi i qeverisë bëri me dije se në qershor prezantohet plani për transportin publik:
Të gjitha lokalet, transporti dhe turizmi janë tre pika shumë të nxehta dhe të rrezikshme. lokalet do të monitorohen nga shumë afër dhe nuk do të dëshiroja t’i penalizoja. Prandaj merrni masat e rrepta dhe respektojini pasi duhet të mbroni personelin dhe popullin pikërisht për të mos rikthyer zinxhirin e infeksionit. Kemi filluar punë për një strategji adaptimin të transporti që e paraqesim në fillim të qershorit si do të jetë në vijim jo vetëm për tu mbrojtur nga virusi që do jetë mes nesh për një kohë të gjatë”, tha Rama.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.