Zuckerberg, historia e njeriut “nën akuzë”
Një kostum me ngjyrë blu të errët, këmishë e bardhë, kravatë bojëqielli. Kjo ishte veshja që shoqëroi fytyrën e zbehtë, por të qetë të Mark Zuckerberg, teksa pranoi përpara politikëbërësve amerikanë se bie dakord që kompania e tij gjysmë biliardi dollarëshe do të respektojë rregullat e privatësisë së përdoruesve.
Imazhi i njeriut të pestë më të pasur në botë, i cili përflitet si një kandidaturë e mundshme në të ardhmen për President të Shteteve të Bashkuara, ishte në harmoni me senatorët që i drejtuan një breshëri pyetjesh e kritikash.
Krijuesi ndodhej në Kongres për të mbrojtur krijesën e tij të mbi një dekade më parë, e cila është shndërruar tanimë në një gjigand virtual me mbi 2.2 miliardë përdorues aktivë në muaj.
Kush është Mark Zuckerberg?
I lindur më 14 Maj të vitit 1984 në New York, Zuck u rrit në një familje të mirëedukuar, ku i ati punonte si dentist, ndërsa nëna si psikiatre. Në moshë të hershme, Mark shfaqi një interes për kompjuterët dhe kur ishte vetëm 12 vjeç përdori gjuhën e programimit Atari BASIC për të krijuar një program mesazhes, të cilin e quajti “Zucknet”. Këtë program e përdori babai në zyrën e tij dentare, në mënyrë që recepsionistja ta informonte se kishte një pacient të ri, pa patur nevojë të bërtiste nga ana tjetër e dhomës. Familja e përdore Zucknet edhe për të komunikuar brenda shtëpisë.
Bashkë me shokët e tij, ai gjithashtu krijoi lojëra kompjuterike për qejf. Ky talent u pikas nga prindërit, të cilët e dërguan në një kurs të specializuar.
Gjatë jetës së tij shkollore, Zuckerberg shfaqi talente edhe në skermë dhe letërsi, por mbeti i mahnitur nga kompjuterët. Në vitin 2002, ai u regjistrua në Harvard dhe gjatë vitit të tij të parë atje kishte fituar reputacionin si programuesi më i mirë. Atje ai krijoi një program të quajtur “Facemash”, ku studentët e kampusit krahasonin dhe votonin mbi dy foto të studentëve të tjerë se cili ishte më tërheqës. Edhe pse programi u bë shumë popullor, ai më vonë u ndaluar nga administrata e shkollës, e cila e quajti të papërshtatshëm.
Bazuar mbi punët e tij, tre prej shokëve të tij e nxitën të punonte mbi një rrjet social, i cili i lejonte përdoruesit të ngarkonin foto dhe të komunikonin me të tjerët. Programi nisi si “The Facebook” dhe u përhap në shkolla të tjera, si Stanford, Dartmouth, Columba, Cornell dhe Yale. Nga fillimi i verës programi ishte përhapur në së paku 45 shkolla dhe në qindra mijë njerëz që e përdornin atë.
Zuckerberg u zhvendos në Palo Alto, Kaliforni, me disa miq të tij pwr t’iu dedikuar me kohw tw plotw rrjetit social. Ata morën një ndërtesë të vogël për ta pasur për zyrat. Në verë Zuckerberg u takua me Peter Thiel, i cili investoi për kompaninë.
Në shtator 2006, Facebook lëshoi në punë News Feed, një produkt për të treguar se çfarë janë duke bërë miqtë e tu në uebsajt. Suksesi i platformës nuk kaloi pa u vënë re nga miqtë e klasës në Harvard, të cilët e hodhën në gjyq Zuckerberg për vjedhjen e idesë, një akuzë e cila u hodh poshtë më 28 mars 2007
Më 2008, revista Forbes e rendit Zuckerberg si njeriun e 321-të më të pasur të SHBA, me pasuri $1.5 miliardë. Ai është më i riu që renditet në Forbes 400. Më 2009 raportohej se pasuria e Zuckerberg ka rënë nën $1 miliard.
Më 24 tetor 2007, Facebook Inc. shiti 1.6% të aksioneve tek Microsoft Copr. për $240 milionë, duke mos pranuar një ofertë konkurruese nga lideri i kërkimeve në Internet, Google Inc. Kjo tregon se Facebook kishte një vlerë tregu $15 miliardë në kohën e bërjes së kësaj shitjeje.
Më 2007, kur ishte 23 vjeç, Zuckerberg bëhet miliarder falë suksesit të Facebook. Më 2012, në të gjithë botën, numri i përdoruesve të Facebookut arrin miliardin.
Nga viti 2010 revista Time e rendit Zuckerbergun mes 100 njerëzve më të pasur dhe më me ndikim të botës. Më 2011 ai renditet i pari nga “Hebrenjtë më me ndikim në botë”, realizuar nga Jerusalem Post dhe prej atëherë është gjithnjë në vendet e para në klasifikim. Në filmin e vitit 2010 The Social Network që tregon lindjen e Facebook-ut, është personifikuar nga aktori Jesse Eisenberg.
Jeta personale
Më 19 Maj 2012, një ditë pasi Facebook debutoi në bursë, Zuckerberg u martua me të dashurën e tij prej shumë vitesh, Priscilla Chan. Rreth 100 njerëz u mblodhën në shtëpinë e çiftit në Palo Alto, duke menduar se do të festonin diplomimin e Chan nga shkolla e mjekësisë, por në fakt dëshmuan Mark dhe Priscilla të shkëmbenin zotimet.
Në nëntor 2015, ata sollën në jetë vajzën e tyre Max, e cila bëri që Mark të merrte dy muaj pushim për të kaluar më tepër kohë me familjen.
Përmes një letre të hapur dedikuar vajzës së tyre, çifti u betua se do të dhuronte 99 përqind të aksioneve të tyre të Facebook për bamirësi dhe shumë shpejt lindi fondacioni i tyre i bamirësisë.
Teksa Facebook kalonte numrin e 2 miliard përdoruesve, Zuckerberg dhe Chan njoftuan në Mars 2017, se më herët në Gusht kishte lindur dhe vajza e tyre e dytë.
Lajmet e rreme dhe vjedhja e të dhënave
Me “bumin” e portaleve informative, lajmet e rreme ishin kthyer në një gjë të zakonshme për të gjitha portalet. Por për Facebook gjithçka ndryshoi pas akuzave se mosndërhyrja në evidentimin e këtyre lajmeve kishte ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në SHBA.
Zuckerberg u zotua se do të kthehej në sfidën e tij personale të përmirësonte metodën për mbrojtjen e përdoruesve nga abuzimet me lajmet.
Megjithatë, Facebook u bë edhe njëherë qendër e kritikave të ashpra disa muaj më vonë, kur u zbulua se Cambridge Analytica, një firmë të dhënash me lidhje me fushatën e Presidentit Donald Trump në vitin 2016, kishte përdorur informacione private nga profilet e mbi 50 milionë përdoruesve të Facebook, pa vënien në dijeni të tyre nga rrjeti social. Impakti i këtyre zbulimeve solli një tronditje në besimin e investitorëve të gjigandit të teknologjisë, aksionet e të cilit ranë në vlerë me 15% sapo lajmi u bë publik.
Pas disa ditësh heshtjeje, Zuckerberg u shfaq në një sërë mediash për të shpjeguar se si kompania po ndërmerrte hapa për të limituar aksesin e palëve të treta në informacionin e përdoruesve dhe u shpreh se do të ishte i lumtur të dëshmonte përpara Kongresit.
Ditën e diel më 25 Mars 2018, Facebook bleu hapësira në faqe të plota për reklama në 7 gazeta britanike dhe 3 amerikane, ku shprehej një ndjesë zyrtare nga vetë Zuckerberg.
“Më vjen keq që nuk bëra dot më shumë kësaj radhe. Premtoj se do të bëj më mirë për ju”, shkruanin Zuckerberg në reklama.
Pas dëshmisë së tij përpara senatorëve amerikanë, të cilën shumë individë e quajtën të mërzitshme, aksionet e Facebook u rritën me 4.5%, dita më e mirë e 2 viteve të fundit. Edhe pse pritet që shumë vende dhe Bashkimi Europian të marrin masa dhe kërkojnë shpjegime për skandalin e privatësisë duket se gjërat do t’i drejtohen normalitetit dhe Facebook do të vazhdojë të ndjekë të njëjtin model biznesi, duke shitur informacionin e individëve për para, por kësaj here në një mënyrë më transparente, nëse premtimi i Mark Zuckerberg do të mbahet.
Edhe nëse Facebook do të dështojë në adresimin e shpejtë të problemeve që tashmë rëndojnë me hijen e tyre në platformë, Mark e ka edhe një as tjetër nën mëngë të quajtur Instagram. Aplikacioni që tashmë numëron 1 miliard përdorues mujorë, gëzon një audiencë më të re në moshë e kësisoj më të çmuar për reklamuesit. Por mbi të gjitha, Instagram ka një gjë që e dallon nga Facebook apo Twitter, ai është i mbrojtur nga përhapja e informacioneve false, për shkak të një butoni të kërkuar që nuk u vendos kurrë, atij të shpërndarjes.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.