Zv.ministrja e Financave, Ikonomi në SCAN për raportin e ‘Doing Bussiness’ : “Metodologjia penalizoi Shqipërinë”
Raporti i “Doing Bussiness 2020” i publikuar nga Banka Botërore e renditi Shqipërinë këtë vit në vendin e 82-të duke e zbritur kështu me 19 vende nga një vit më parë dhe me 9 nga 10 indikatorët e përkeqësuar.
Në studion e SCAN ishte e ftuar, zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Belinda Ikonomi e cila ka dhënë një qasje komplet ndryshe ndaj këtij raporti.
Sipas zv.ministres këtë vit ka ndodhur një ndryshim në metodologjinë e vlerësimit të pikëzimeve që ka ndikuar negativisht për vendin tonë:
“Kemi patur një ndryshim të metodologjisë së vlerësimit dhe kemi pasur një ndryshim të dhënash, i cili nuk ka marrë parasysh vetëm statistikat për vitin 2020 të Doing Bussines por edhe të atyre të mëparshëm. Gjithashtu kemi pasur ndryshim të pikëzimeve. Të gjithë indikatorët kanë rritje në pikëzim, por kjo nuk është reflektuar në raport për shkak të ndryshimit të metodologjisë.
Zonja. Ikonomi foli edhe për atë që e vlerësoi si impaktin kryesor mbi renditjen negative këtë vit:
“Çfarë do konstatoja për këtë vit që ka dhënë impaktin direkt është ndryshimi i metodologjisë për një nga indikatorët kryesorë: Mbrojtja e Investimeve në Minorancë, i cili vitin e kaluar ishte në vendin e 26, ndërsa këtë vit pa asnjë lloj regresi ka përfunduar në vendin e 111-të. Po të shohim këtë vit kemi 71 pikë, ndryshe nga vitet e mëparshme me 49 pikë.”
Sipas zv.ministres ajo që e ka penalizuar shumë Shqipërinë në këtë raport është edhe mos-funksionimi i bursës:
“Ne kemi rritje në të gjithë indikatorët me nga 5 pikë dhe në fund fare jemi vlerësuar me 0 pikë vetëm për shkak të mos-funksionimit të bursës, e cila për tu vënë në funksionim duhen të paktën 10 kompani jo-publike.”
Ajo është shprehur më tej për vizitën e ekspertëve që do të vijnë në Tiranë dhe fillimin nga puna për raportin e vitit të ardhshëm:
“Në muajin nëntor do t’i konsultojmë të gjithë shifrat me ekspertët e Bankës Botërore për të analizuar çdo indikator. Për Doing Bussiness 2021 puna do fillojë që në dhjetor. Do të mbledhim të gjithë aktorët ekonomikë dhe do të shohim me kujdes të gjithë hapat që do të marrim, të cilat mund të kenë impakt mbi indikatorët dhe për këtë do marrim shembuj edhe nga vendet e rajonit.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.