Zv/presidenti i ri i BQE – Spanja propozon De Guindos për të zëvendësuar Constancio më 31 Maj
Bashkimi Europian po përgatitet për të votuar mbi një tjetër post të rëndësishëm në vendimmarrjen europiane. Së shpejti do të zgjidhet zv/presidenti i Bankës Qendrore Europiane, për të zëvëndësuar Vitor Constancio.
Votimi do të vijë pas zgjedhjes së ministrit të financave të Portugalisë Mario Centeno në krye të Eurogrupit gjatë Dhjetorit, një rol që bashkon 19 ministrat e financave të Eurozonës.
Spanja ka propozuar ministrin e ekonomisë, Luis de Guindos, si kandidat për postin te institucioni në Frankfurt, duke e vendosur politikanin përballë guvernatorit të Bankës së Irlandës, Philip Lane, që shihen si zëvendësuesit kryesorë.
Posti i zv/presidentit të Bankës Qendrore Europiane mbahet aktualisht nga ish guvernatori i Bankës së Portugalisë, Vitor Constancio, mandati i të cilit përfundon më 31 Maj.
De Guindos ka qenë ministri i ekonomisë në Spanjë që kur partia e kryeministrit Mariano Rajoy, fitoi zgjedhjet e vitit 2011.
Ai ka drejtuar vendin gjatë krizës më të keqe ekonomike në dekada. Ministrat e Financave të Eurozonës do të votojnë më 19 Shkurt për kandidatin, përpara se të caktohet në fund nga liderët e Bashkimit Europian.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.