Zvarritjet për bursën e energjisë – Pas vendimit të KPP që pranoi ankesën e kompanisë sllovake, tenderi ende s’është hapur

Pavarësisht se ka kaluar më shumë se një muaj nga vendimi i Komisionit të Prokurimit Publik, Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike nuk ka rihapur ende tenderin për ngritjen e një prej instrumenteve më të rëndësishëm për sektorin elektroenergjetik, duke krijuar vonesa të tjera në këtë drejtim.
Përmes një vendimi të datës 22 nëntor, KPP pranoi disa prej ankesave të kompanisë sllovake Sfera, për tenderin e bursës së energjisë, që pretendonte se kërkesat e tenderit ishin diskriminuese dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Vendimi detyronte autoritetin kontraktor, që në këtë rast është Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike – ALPEX, të kryejnte modifikimet përkatëse në dokumentet e tenderit, çka më pas duhet t’i hapte rrugën zhvillimit të tenderit për ngritjes e bursës së energjisë. Por, deri më tani tenderi nuk është rihapur, ndërkohë që kjo mund të nënkuptojë që autoriteti kontraktues po kundërshton vendimin e KPP-së në rrugë gjyqësore.
Ngritja e bursës së energjisë nënkupton listimin e prodhuesve të energjisë elektrike, çka do të rrisë konkurrencën si dhe do të lehtësojë blerjen e energjisë nga të gjithë bizneset e liberalizur që sigurojnë vetë sasinë e nevojshme të energjisë. Ngritja e saj ka tejkaluar çdo afat ligjor, ndërkohë që nga data 1 janar 2022 do të nisë edhe dalja në treg të lirë e bizneseve të lidhur në tensionin 20 KV, që sipas të dhënave zyrtare janë rreth 7500.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.