Zvicra bashkëpunon me Shqipërinë – Rriten investimet me 20%, në katër vite 105 mln franga

Nën sloganin “Bashkëpunimi Vazhdon”, Ambasada e Zvicrës ka prezantuar strategjinë e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve për vitet 2018 -2021.
Në vitet e ardhshme ky bashkëpunim do të vijojë në katër sektorë prioritar siç janë forcimi i pushtetit vendor, infrastruktura, energjia dhe shëndetësia.
Vlera financiare e këtij bashkëpunimi do të jetë rreth 105 milionë franga zvicerane. Marie-Gabrielle Ineichen-Fleisch, Sekretare e Shtetit dhe Drejtore e Përgjithshme e Sekretariatit të Shtetit për Çështje Ekonomike në Zvicër u shpreh për RTV SCAN se kjo shifër është 20% më e lartë se ajo e katër viteve të shkuara.
Edhe pse aktualisht ka investitorë zviceran në Shqipëri numri i tyre është i ulët. Sipas drejtueses së Sekretariatit për Çështjet Ekonomike në Zvicër duhet që vendi ynë të zbatojë mirë reformën në drejtësi, në mënyrë që të garantojë zbatueshmërinë e ligjit, duke ju ofruar besueshmëri dhe garanci investitorëve të huaj.
Marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Zvicrës janë të mira ndërkohë që vlera e këtyre shkëmbimeve tregtare shkon në vlerën e 200 milionë frangave zvicerane.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.