Zvicra prodhon paradokse – Rekord botëror për paranë cash, 9000 euro për banor
Zviceranët janë të dashuruar me paranë cash. Secili nga 8 milionë banorët e konfederatës zvicerane në fakt posedon 9300 franga cash, ose rreth 9000 euro.
“Ky është një rekord botëror”, deklaroi zëvendësdrejtori i Bankës Kombëtare Zviceriane.
Ky rekord në fakt përbën një paradoks tejet të madh, pasi pikërisht në vendin e bankave mbretëron paraja cash.
Pasiguria e zviceranëve te bankat vjen kryesisht si rrjedhojë e ngjarjeve të vitit 2009, me krizën financiare globale. Por, aktualisht në këtë tendencë, po peshojnë normat e interesit, pasi askush nuk dëshiron që të paguajë në mënyrë që të mbajë paratë të sigurta.
Në harkun e dhjetë viteve, paraja në qarkullim është më shumë se dyfishuar, duke kaluar nga 35 miliardë franga në 80 miliardë franga.
Vetë kompania që merret me stampimin dhe prodhimin e kartmonedhave po haset me vështirësi të mëdha, për shkak të kërkesës mjaft të lartë. I duhet të stampojë 100 mijë tonë kartëmonedha në vit.
Paraja cash në Zvicër tashmë përbën 12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në vitin 2008, kjo normë fiksohej në vetëm 7%. Ekspertët ndërkohë nënvizojnë se duhet diferencuar paraja cash që qarkullon me atë që ruhet në kasat e sigurisë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.