Zyrtarët e lartë publikë, Qeveria anashkalon ligjin – Vendimi: 16 poste drejtuese të plotësohen me rekrutim të drejtpërdrejtë, pa konkurs

Anashkalimi i ligjit për rekrutimin e zyrtarëve të lartë të Administratës Publike po kthehet tashmë në traditë. Në fillim të këtij muaji ka ardhur Vendimi i radhës së Qeverisë për rekrutimin e zyrtarëve të lartë të administratës publike, ndërkohë që ligji përcakton saktë, se postet që I përkasin trupës së lartë drejtuese, mund të plotësohen vetëm nëpërjet procedurës së ngritjes në detyrë apo lëvizjeve paralele.
Në fakt bëhet fjalë për zgjatjen e afatit të një procedure që ka nisur që në dhjetor të vitit 2021, e cila i hapi udhën anashkalimit të përcaktimeve ligjore. ““Përjashtimisht, për vitin 2021, procedura e pranimit të drejtpërdrejtë në TND është e hapur edhe për kandidatë të tjerë jashtë shërbimit civil, që plotësojnë kërkesat specifike për pranimin në TND.”, specifikon vendimi I Qeverisë I cili tashmë është në fuqi edhe për vitin 2022.
Vendimi parashikon rekurtimin e 16 zyrtarëve në poste të niveli të lartë drejtuese, siç njihen ndryshe TND. Në rast se numri i pozicioneve vakante të TND-së, sipas pikës 3, të këtijvendimi, nuk plotësohet nëpërmjet procedurës së konkurrimit të nisur në vitin 2021, Departamenti i Administratës Publike zhvillon një procedurë të re pranimi të drejtpërdrejtë në TND gjatë vitit 2022 për numrin e pozicioneve të mbetura vakante dhe brenda numrit të përcaktuar në pikën 3, të këtij vendimi, përcakton dokumenti.
Vendimi përcakton edhe nivelet minimale që ata duhet të plotësojnë për të përfituar postin. Kandidatët duhet të zotërojnë një diplomë të nivelit “Master shkencor” apo “Master profesional” të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 (dy) vite akademike ose të barasvlershme me to.
Ndërkohë që të kenë të paktën 3 (tre) vjet përvojë pune në pozicione të mesme drejtuese ose të barasvlershme në: – institucione të administratës publike; – institucione bankare të nivelit të dytë e që aktualisht nuk kanë detyrime ndaj shtetit ose nuk janë në proces kundër tij; shoqëri tregtare, të cilat, sipas legjislacionit në fuqi, konsiderohen si biznes i madh e që aktualisht nuk kanë detyrime ndaj shtetit ose nuk janë në proces kundër tij; ashtu si dhe në organizata jofitimprurëse, të cilat kanë të paktën 5 (pesë) vjet që janë krijuar.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.