Zyrtari i lartë i FMN takon ministrin Ahmetaj – Zhang: Të gatshëm t’ju mbështesim në vazhdimësi
Për herë të parë në 10 vitet e fundit, një përfaqësues i Bordit drejtues të FMN viziton Tiranës. Zv.Drejtori Ekzekutiv i fondi, Tao Zhang, u prit sot në një takim nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj.
Edhe pse programi tre-vjeçar me FMN është përmbyllur, Ahmetaj i shprehu përfaqësuesit angazhimin e qeverisë shqiptare në vazhdimin e konsolidimit fiskal, uljen e borxhit publik dhe avancimin e reformave strukturore në ekonomi.
“Ne jemi të bindur se pa vazhdim të reformave, nuk ka vazhdim të rritjes ekonomike për vendin. Ne kemi nisur një reformë të re në sektorin e ujit, ndërsa po vazhdojmë të thellojmë reformën në klimën e biznesit, tashmë më deregulimin dhe dixhitalizimin e shërbimeve për sipërmarrjen dhe qytetarët, duke iu kursyer atyre kohë dhe para, përmes lehtësimit të procedurave, gjë që kemi bindjen se do të reflektohet edhe në raportin Doing Business”, u shpreh Ahmetaj.
Programin e kaluar e vlerësoi si të suksesshëm edhe Zhang, i cili përgëzoi qeverinë për përmbushjen e objektivave kryesore.
“FMN është e gatshme t’ju mbështesë në vazhdimësi, edhe përmes asistencës teknike si dhe për minimizimin e risqeve potenciale. Ne mbështesim vendet tona anëtare që të kuptojnë kapacitetet e tyre reale dhe të rriten në mënyrë të balancuar, në përputhje me këto kapacitete”, tha zv. Drejtori Ekzekutiv i FMN.
Në takim u diskutua edhe mbi projektin “1 miliard” mbi të cilin qeveria ka vendosur të shpenzojë 1 miliard euro për projekte të infrastrukturës përmes partneritetit publik-privat. FMN është shprehur më parë se këto marrëveshje mund të rezultojnë të rrezikshme nëse nuk vendosen kapacitetet e duhura implementuese.
Ministri Ahmetaj tha se qeveria shqiptare është e vetëdijshme për hapësirat fiskale dhe projektet e PPP janë parashikuar në planin buxhetor afatmesëm. Nga ana e tij, Zhang u shpreh se FMN është e gatshme të punojë me qeverinë shqiptare, në mbështetje të angazhimit të sektorit privat dhe kontrollin e risqeve potenciale.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.