Skip to main content

ACH (QENDRA E KRYQËZIMIT AUTOMATIK TË PAGESAVE)

ACH janë tre gërmat e para të emërtimit në gjuhën angleze të qendrës automatike të kryqëzimit të pagesave Automatic Clearing House. Në vetvete kjo qendër është një sistem elektronik i transferimit të fondeve nëpërmjet të cilit institucionet financiare kanë mundësi, që në mënyrë elektronike të kryqëzojnë hyrjet debitore dhe kreditore të llogarive bankare duke i netuar ato në përfundim.

AGREGATËT MONETARË M1, M2, M3

Sasia totale e instrumenteve të pagesës në një monedhë të dhënë mund të përcaktohet në mënyra të ndryshme. Bazuar në shpejtësinë me të cilën format e ndryshme të parasë mund të përdoren për pagesa, ato mund të klasifikohen si agregati monetar M1, agregati monetar M2, agregati monetar M3. Agregati M1 përfshin paranë që përdoret në çdo kohë si mjet pagese – si: paratë në qarkullim dhe ato të depozituara nëpër banka në formën e llogarive korente. Agregati M2 është i përbërë nga agregati M1 dhe depozitat me afat dhe të kursimit në lekë – depozitat e kursimit mund të konvertohen në mënyrë të thjeshtë e të shpejtë në para në dorë. Agregati M3 formohet nga M2 dhe depozitat në valutë.

AKTIVI

Aktivi është një objekt ose e drejtë ekonomike, e kontrolluar nga njësia ekonomike raportuese, që ka ardhur si rezultat i ngjarjeve të shkuara dhe nga përdorimi i së cilës priten përfitime të ardhshme. Bazë për raportimin e aktiveve në bilanc është ekzistenca e pronësisë ligjore ose ekzistenca e kontrollit efektiv. Aktivi regjistrohet në bilanc, vetëm nëse është mundur që prej tij të gjenerohen përfitime ekonomike në të ardhmen.

AKTIVI FINANCIAR

Aktive financiare janë të gjitha mjetet që kanë vlerë financiare dhe që burojnë nga detyrimet e një kontrate. Këto mjete quhet ndryshe të paprekshme, pasi nuk kanë cilësi fizike. Shembuj mjetesh financiare janë depozitat bankare apo letrat me vlerë.

ARI

Dikur ari dhe metalet e tjera të çmuara janë përdorur si mjete pagese, kryesisht në formë monedhe. Me kalimin e kohës, për vetë faktin që është mall i rrallë, ari shërbeu si pikë referimi për monedhat e tjera dhe si mjet për të vendosur besimi  tek monedha letër apo kartëmonedhat. Për shumë kohë, bankat qendrore ishin të detyruara të këmbenin, sipas kërkesës, kartëmonedhat e tyre me ar.

TË ARDHURAT

Të ardhurat përfaqësojnë flukse hyrëse (rritjen e përfitimeve ekonomike) gjatë periudhës së raportimit, që çojnë në rrijten e aktiveve ose pakësimin e pasiveve, si dhe rrisin kapitalin e njësisë ekonomike, duke përjashtuar këtu ato që lidhen me kontributet nga pjesëmarrësit në kapital.

BANKA QENDRORE

Termi “bankë qendrore” nënkupton një institucion qendror, që emeton monedhën dhe për rrjedhim rregullon dhe ofertën e parasë të vendit, duke luajtur kështu një rol kyç në trafikun e pagesave. Termi “institut i emetimit” thekson monopolin që banka qendrore, pra edhe Banka e Shqipërisë, ka për emetimin e kartëmonedhës.

BANKË TREGTARE, BANKË E NIVELIT TË DYTË

Bankat janë institucione që pranojnë depozitimin e fondeve të kursyera nga publiku dhe që akordojnë kredi. Veç funksionit ndërmjetësues midis depozituesve dhe huamarrësve, bankat tregtare, krahas bankave qendrore dhe zyrave të Albapostës, në rastin e Shqipërisë, luajnë një rol të rëndësishëm në trafikun e pagesave pa para në dorë.

BAZA MONETARE

Baza monetare njihet ndryshe edhe me emërtimin rezerva monetare apo paraja e fuqishme. Kjo, sepse ndryshimet e ndodhura te kjo e fundit shkaktojnë ndryshime në masën e parasë dhe të kreditit. Baza monetare përfshin paranë në qarkullim të emetuar nga banka qendrore dhe llogaritë rrjedhëse të bankave.

BILANCI I PAGESAVE

Bilanci i pagesave është një dokument statistikor i cili nënkupton regjistrimin kontabël të transaksioneve ndërkombëtare të një vendi me pjesën tjetër të botës gjatë një periudhe kohe të caktuar, zakonisht në një vit. Bilanci i pagesavezakonisht ndahet në “llogari korente” dhe “llogari kapitale”. Zërat kryesorë në llogarinë korente janë pagesat për importet dhe eksportet e mallrave dhe shërbimeve dhe në rastin tonë është dhe transferimi i pagesave në formën e të ardhurave nga emigrantët. Nga ana tjetër, në llogarinë kapitale regjistrohen shitjet dhe blerjet ndërkombëtare të aksioneve, të obligacioneve, të tokës etj.. Metodologjia ku mbështetet hartimi i statistikave të bilancit të pagesave është krijuar nga FMN-ja dhe njihet me emrin Manuali i Pestë i Bilancit të Pagesave.

BILANCI TREGTAR

Bilanci tregtar përbën një nga kategorizimet kryesore të statistikave të bilancit të pagesave. Ai tregon diferencën midis totalit të eksporteve me totalin e importeve të regjistruara të një vendi për një periudhë kohe të caktuar. Zakonisht në literaturë flitet për bilancin tregtar të mallrave dhe të shërbimeve, megjithëse në përputhje me metodologjinë që përdoret për regjistrimin dhe raportimin e statistikave të bilancit të pagesave, bilanci tregtar është i llogaritur në mënyrë të veçantë si për mallrat ashtu dhe për shërbimet.

CASH FLOW

Një mënyrë e të maturit të shëndetit financiar të kompanisë. Qëllimi i tij është barazimi i të hyrave në formë cash-i me pagesat po në cash, në një periudhë të dhënë kohe.

CIKLI BIZNESIT

Luhatje periodike, të komponentëve të aktivitetit të përgjithshëm ekonomik. Zakonisht ato përkufizohen si devijime të prodhimit (Produktit të Brendshëm Bruto të shprehur me çmime konstante) nga prirja afatgjatë e tij. Në qoftë se cikli është në fazën e gjallërimit, rritja ekonomike pritet të jetë në përputhje me kapacitetet prodhuese disponibël të vendit. Në fazën e kulmimit situata përkon me një rritje ekonomike të shpejtë. Në fazën që vijon, atë të rënies, prodhimi bie dhe kapacitetet prodhuese mbeten të pashfrytëzuara. Për rrjedhim, papunësia rritet dhe ekziston rreziku i deflacionit.

ÇEKU

Urdhër me shkrim i lëshuar nga një palë (lëshuesi i çekut) për palën tjetër( përfituesi i çekut, që zakonisht është një bankë), nëpërmjet të cilit i kërkohet bankës të paguajë një shumë të përcaktuar me paraqitjen e lëshuesit ose të një pale të tretë të përcaktuar nga lëshuesi.

ÇMIMI

Raporti i këmbimit midis mallrave të ndryshëm, i matur në njësi monetare

ÇMIMI DYSHEME

Është një minimum ligjor mbi çmimin e një malli apo shërbimi. Një shembull është paga minimale në qoftë se çmimi dysheme është mbi çmimin e ekuilibrit, sasia e ofruar e tejkalon sasinë e kërkuar. Për shkak të tepricës që vjen si rezultat, kërkesat e blerësve për mallin apo shërbimin duhet që në njëfarë mënyre të racionohen midis shitësve.

ÇMIMI TAVAN

Është një maksimum ligjor i çmimit të një malli ose shërbimi. Një shembull është kontrolli i qirasë. Në qoftë se çmimi tavan është nën çmimin e ekuilibrit, sasia e kërkuar e tejkalon sasinë e ofruar. Për shkak të mungesës që vjen si rezultat, shitësit duhet që në njëfarë mënyre të racionojnë mallin ose shërbimin midis blerësve.

DEBITIM DIREKT

Instrument pagese që përshin një autorizim për debitimin e llogarisë së urdhëruesit, pranë bankës së urdhëruesit, e iniciuar nga përfituesi, pranë bankës së përfituesit. Zakonisht, debitimi direkt është një pagesë e autorizuar parapraktikisht, ku urdhëruesi autorizon pagesën përpara nisjes së saj dhe përdoret më së shumti në shlyerjen e detyrimeve që lindin nga përdorimi i shërbimeve publike.

DEFICITI TREGTAR

Bilanci tregtar negativ, domethënë diferenca negative ndërmjet eksporteve dhe importeve të regjistruara njihet si deficit tregtar i vendit. E kundërta, domethënë diferenca pozitive ndërmjet eksporteve dhe importeve të regjistruara njihet si suficit në bilancin tregtar të vendit.

DEFLACIONI

Deflacioni i referohet një situate kur niveli i çmimeve të konsumit, demonstron rënie përgjatë një periudhe kohore. Deflacioni është rasti i kundërt i inflacionit.

DEPOZITA KURSIMI

Fonde që individë apo ndërmarrje depozitojnë pranë një banke, më shpesh në formën e një llogarie kursimi që përfiton interesa.

DEPOZITA ME AFAT

Fonde që janë depozituar në një bankë për një periudhë kohe të fiksuar. Zakonisht, investuesi nuk mund të tërheqë shumën e depozituar deri në përfundim të afatit të maturimit.

DEPOZITA PA AFAT APO LLOGARI RRJEDHËSE

Fonde, që mund të transferohen, në çdo kohë dhe pa kufizim nga një llogari bankare në një tjetër llogari ose të konvertohen me para në dorë.

DEPOZITA NJËDITORE

Është një lehtësi e Bankës së Shqipërisë që i mundëson bankave të depozitojnë për një ditë, likuiditetin e tepërt të tyre në para, pranë Bankës së Shqipërisë. Për këtë investim bankat marrin interesa.

DERIVATI

Derivati është një instrument financiar me këto karakteristika: vlera e tij ndryshon në vartësi të normës së interesit, çmimit të instrumentit financiar, çmimit të produktit-bazë, kursit të këmbimit të monedhës, indeksit të çmimeve ose treguesve të tjerë të ngjashëm. Kosto fillestare e tij është zero ose e vogël në krahasim me lloje të tjera kontratash.

EURO

Monedhë e përbashkët e 12 vendeve, pjesëmarrëse në bashkimin ekonomik dhe monetar evropian. Një euro është e ndarë apo përbëhet nga 100 cent. Euro është hedhur në përdorim në 1 janar 1999. Që nga kjo datë, përgjegjësia për politikën monetare të Zonës Euro, i është besuar Bankës Qendrore Evropiane. Megjithatë, prania fizike e Euros u bë më 1 janar 2002.

EUROSISTEM

Sistemi i formuar nga Banka Qendrore Europiane plus bankat qendrore kombëtare të 12 vendeve që përbejnë Bashkimin Monetar Europian.

EFEKTI I MULTIPLIKATORIT

Zhvendosjet suplementare të kërkesës agregate që vijnë si rezultat i politikës fiskale ekspansioniste, e cila rrit të ardhuray dhe në këtë mënyrë rrit shpenzimet e konsumatorëve.

FEDERALIZËM FISKAL

Një sistem fiskal për një grup vendesh, që përfshin një buxhet fiskal të përbashkët dhe një sistem të taksave dhe transferatve fiskale në këto vende.

FITIMI

Fitimi është diferenca midis të ardhurave dhe shpenzimeve që lidhen me të gjitha ose me disa lloje të caktuara transaksionesh të njësisë ekonomike, gjatë periudhës së raportimit. Fitimi  nga veprimtaritë e shfrytëzimit të një njësie ekonomike është diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve, që krijohen gjatë veprimtarisë së shfrytëzimit. Diferenca mes të gjitha të ardhurave dhe të gjitha shpenzimeve quhen fitim neto për periudhën e raportimit.

FITIM BRUTO

Fitimi bruto nga një transaksion biznesi, në kontekstin e transferimit të çmimit, përcaktohet nga OECD si “shuma e llogaritur, duke zbritur nga e ardhura bruto e transaksionit blerjet e alokuara ose kostot e prodhimit të shitjeve, me saktësimin e duhur për shtimet ose pakësimet e inventarit ose gjendjes së mallrave për shitje, por pa marrë parasysh shpenzimet e tjera”.

FITIMI BRUTO I BANKËS QENDRORE

Fitimi bruto, në rastin e Bankës së Shqipërisë, llogaritet duke zbritur nga të ardhurat, shpezimet e bëra për vitin financiar.

FONDI MONETAR NDËRKOMBËTAR (FMN)

FMN, është një organizatë ndërkombetare, që ka për synim të zbatojë bashkëpunimin monetar dhe ekonomik midis shteteve anëtare. Shqipëria është anëtare e këtij organizmi të rëndësishëm që nga viti 1991. FMN është themeluar në vitin 1944 në Breton Woods në të njëjtën kohë me Bankën Botërore. Ai ka selinë e tij në Washington. Në periudha të rregullta kohore, FMN organizon takime në të cilat shqyrtohen politikat monetare dhe ekonomike të ndjekura nga shtetet anëtare të tij. Në varësi të ndjekjes së politikave monetare dhe ekonomike në përputhje me standardet ndërkombëtare, përcaktohen masa dhe burimet e ndihmave financiare për vendet në vështirësi ekonomike.

FOREX

Shkurtim i tregut ndërkombëtar të këmbimeve valutore.

FUNKSIONET E PARASË

Paraja shërben si mjet këmbimi në shitjen dhe blerjen e mallrave dhe shërbimeve në ekonomi. Paraja shërben gjithashtu si njësi matëse e standardizuar e vlerës në ekonomi. Funksion tjetër i parasë është ruajtja e vlerës në kohë.

FUQIA BLERËSE E MONEDHËS

Fuqia blerëse e parasë, tregon sasinë e mallrave, që është e mundur të blihen me një shumë të caktuar parash. Kur niveli i çmimeve rritet, fuqia blerëse e parasë ulet dhe sasia e mallrave që mund të blihet me një shumë të caktuar parash pakësohet (inflacioni). Në rastin e kundërt do të kishim një fuqi blerëse të monedhës që rritet, kur çmimet ulen (deflacion). Qëllimi i politikës monetare është mbajtja e një fuqie blerëse të monedhës sa më të stabilizuar, duke “dozuar” furnizimin me para të ekonomisë.

G7, GRUPI I TË SHTATËVE

Grupi i shtatë ekonomive industriale kryesore përbëhet nga (Kanada, Francë, Gjermani, Itali, Japoni, Mbretëri e Bashkuar dhe SHBA). Kryeministrat apo ministrat e ekonomisë së këtyre vendeve takohen në mënyrë periodike për të diskutuar marrëdhëniet politike, ekonomike, monetare dhe financiare në planin ndërkombëtar.

GJENDJA MONETARE

Është paraqitja e treguesve monetarë, në mënyrë të sintetizuar nga konsolidimi i bilanceve të bankave tregtare dhe bilancit të Bankës së Shqipërisë. Gjendja monetare siguron informacionin e nevojshëm për formulimin, zbatimin dhe monitorimin e politikës monetare. Përpunimi i të dhënave bëhet në bazë të metodikës së hartimit të gjendjes monetare.

HARMONIZIM TATIMOR

Harmonizimi tatimor është një tipar i përgjithshëm i formave të integrimit ekonomik, si p.sh. bashkimet doganore ose ekonomike. Mund të thuhet se konkurrenca tatimore në një farë mënyre çon në harmonizimin “spontan” të sistemeve tatimore. Në terma të përgjithshme harmonizimi tatimor përfshin eliminimin e diferencave ose kontradiktave ndërmjet sistemeve tatimore të juridiksioneve të ndryshme ose përafrimin e këtyre diferencave ose kontradiktave me njëra tjetrën.

INDEKSI I ÇMIMEVE TË KONSUMIT

Indeks, që mat ecurinë mesatare të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve që bëjnë pjesë në shportën shqiptare të konsumit. Ajo vlerësohet si përfaqësuesja më e mirë e mënyrës së konsumit të mallrave më të përdorshëm nga një familje mesatare në Shqipëri. Përcaktimi i shportës kalon nëpër një proces të tërë vrojtues dhe vlerësues, të bazuar mbi një metodologji statistikore të plotë sipas standardeve ndërkombëtare. Në Shqipëri, indeksi i çmimeve të konsumit, që shpesh quhet indeks i çmimeve, shërben për të matur inflacionin.

INSTRUMENTI FINANCIAR

Instrumenti financiar është çdo kontratë që krijon një aktiv financiar për një njësi ekonomike, si dhe një pasiv financiar ose instrument kapitali për një njësi ekonomike tjetër. Instrument kapital është çdo kontratë që evidenton një interes të mbetur në aktivet neto të njësisë ekonomike (një aksion ose opsion aksioni)

INVESTIM

Nënkupton përdorimin e parave në një moment të dhënë, me qëllim rritjen e vlerës ose përfitimin e të ardhurave shtesë prej tyre në të ardhmen. Disa forma investimi janë depozitat bankare, bonot e thesarit, letrat me vlerë, pasuritë e paluajtshme, aksionet në bursë.

JOINT VENTURE

Një marrëveshje biznesi, ku dy ose më shumë palë pranojnë të bashkojnë resurset e tyre për të arritur një qëllim të përbashkët. Qëllimi mund të jetë një projekt i ri ose çdo lloj aktiviteti tjetër biznesi.

KAPITALI

Kapitali përfaqëson vlerën e aktiveve neto, që u përkasin zotëruesve të një njësie ekonomike në datën e bilancit. Llogaritja e kapitalit varet nga politikat kontabël të përdorura për vlerësimin e aktiveve dhe pasiveve, ku disa prej tyre bazohen në vlerën e drejtë, ndërsa disa të tjera në kosto ose në metoda të tjera. Kapitali është diferenca mes aktiveve dhe pasiveve të njësisë ekonomike, në datën e bilancit.

KARTA

Instrument pagese elektronike, i emeruar nga një bankë që i mundëson mbajtësit, kundrejt një kontrate me shkrim, të kryejë transaksione me një ose më shumë funksione si: cash, para elektronike ose me funksione pagese. Pagesë me kartë është një transaksion pagese, që kryhet me anë të një karte bankare në një terminal ose në kanale të tjera komunikimi. Kartat me funksion pagese, për qëllime statistikore, klasifikohen si karta debiti dhe karta krediti.

KARTA E DEBITIT

I lejon mbajtësit të autorizuar të ketë akses në llogarinë e tij pranë emetuesit për të kryer blerje me fondet e disponueshme në këtë llogari si edhe për të tërhequr para cash, në rastet kur kjo kartë është e kombinuar me kartën me funksion cash-i. Karta  me debitim të vonuar është e ngjashme me kartat e debitit, përveç faktit që shlyerja e pagesës në llogari bëhet pas një periudhe të caktuar kohe sipas kushteve të përcaktuara në kontratë.

KARTA E KREDITIT

I jep mundësinë mbajtësit të saj të përdorë një linjë krediti. Nëpërmjet saj mbajtësi mund të bëjë blerje ose të tërheqë cash deri në një kufi të paracaktuar. Sasia e lejuar e kreditit, si rregull shlyhet e plotë në fund të një periudhe të caktuar, ose mund të shlyhet pjesërisht dhe e shtyrë në kohë, në përputhje me termat e përcaktuara në kontratë.

KARTËMONEDHA NË QARKULLIM

Shuma e të gjitha kartëmonedhave bankare të emetuara nga një bankë qendrore dhe ajo që është në qarkullim për një kohë të caktuar (në një moment të dhënë), përbën kartëmonedhën në qarkullim.

KONSUM

Konsumi është shpenzimi për mallra dhe shërbime nga familjet, ku mallrat përfshijnë shpenzimet e familjeve për mallra jetegjatë si makina apo pajisje shtëpiake dhe shërbimet përfshijnë artikujt të paprekshëm si qethjet apo kujdesi mjekësor.

KONSUMATOR

Blerësi i fundit i produkteve dhe shërbimeve. Blerës për nevojat e tij apo të personave që ka në ngarkim dhe jo për t’i rishitur.

KONTRIBUTET

Janë shuma e parave që derdhet periodikisht për planin individual të pensionit. Pjesëmarrësi gëzon fleksibilitet në përcaktimin e shumës dhe të periodicitetit të derdhjes së kontributeve.

KONVERTIM

Konvertim është procesi i kthimit apo shndërrimit të një mjeti në një tjetër. Shembull i konvertimit është kthimi në para i një aksioni, i një pasurie të paluajtshme apo këmbimi i një monedhe me një monedhë tjetër.

KOSTO

Është tërësia e të gjitha shpenzimeve për prodhimin dhe shitjen e një produkti. Ajo përfshinshpenzimet për blerjen e lëndëve të para, pagat e punonjësve, taksat dhe sigurimet si dhe cdo lloj tjetër shpenzimi që biznesi kryen për prodhimin e produkteve apo ofrimin e shërbimeve.

KOSTO TRANSAKSIONI

Në varësi të llojit të shkëmbimit, kostot e transaksionit mund të përfshijnë komisionin e kërkuar nga ndërmjetësi financiar, si edhe tarifa apo taksa direkte të ndryshme.

LETRA ME VLERË

Instrumente  financiare  të  cilat  mishërojnë  të drejta pronësie apo njohje borxhi. Aksionet dhe obligacionet janë  kategoritë  më  të  rëndësishme të letrave  me  vlerë  që  negociohen  në  tregun  e kapitaleve.

MALL INFERIOR

Një mall për të cilin nëse kushtet e tjera nuk ndryshojnë një rritje në të ardhura con në një rënie të kërkesës.

MEKANIZMI I TRANSMISIONIT I POLITIKËS MONETARE

Një politikë monetare rezulton eficiente nëse vendimet e marra për ndryshimin e qëndrimit (në lidhje me ndryshimin e normave të interesit), përcillen në kohën e duhur në ekonomi. E tërë rruga që përshkon vendimi politik, i ngjan një skeme, të themi si ato të shpërndarjes së energjisë elektrike, që në gjuhën bankare njihet si skemë e transmisionit të politikës monetare. Secila pjesë e kësaj skeme luan rolin e vet në vendimpërcjellje apo në thithjen e sinjaleve që banka qendrore lëshon, për arritjen e objektivit final për të cilin përgjigjet. Nëse marrim rastin e Shqipërisë, një skemë do të kishte kanalet e saj të transmisionit që mund të jenë: kanali i kredisë, i përqindjeve të interesit, i kursit të këmbimit, i qeverisë e shumë e shumë kanale të tjera, ndikimi i të cilave finalizohet tek një vlerë e parashikuar për inflacionin. Skema materializohet në një kombinim faktorësh të vendosur në një model makroekonomik, që përpiqet të kapë sa më shumë informacion nga ekonomia e vendit.

MALL BASHKËPLOTËSUES

Dy mallra për të cilat një rritje e cmimit të njërit con në një ulje të kërkesës për tjetrin.

MJET

Çdo artikull me vlerë ekonomike që një person apo një kompani mund të ketë në pronësi, sidomos artikuj që mund të kthehen lehtësisht në para në dorë (cash).

MONOPOLI I EMETIMIT

E drejta ekskluzive e një institucioni për të emetuar para, përbën monopolin e emetimit. Në Shqipëri, monopoli për të emetuar para i përket Bankës së Shqipërisë dhe kjo është e sanksionuar me ligj. Institutet e emetimit të Eurozonës, e kanë transferuar në Bankën Qendrore Evropiane të drejtën e monopolit të tyre të mëparshëm, që i autorizonte për të emetuar para në monedhën e tyre kombëtare.

NDËRMJETËS FINANCIAR

Janë institucione të tilla si banka, kompani sigurimesh, fonde pensioni, broker në bursë etj, që marrin para nga individët dhe bizneset dhe ua japin hua të tjerëve që kanë nevojë për to.

NIVELI I ÇMIMEVE

Niveli mesatar i të gjitha çmimeve të mallrave e të shërbimeve në një ekonomi në një moment të caktuar. Një ngritje e nivelit të çmimeve ka për pasojë një ulje të fuqisë blerëse të monedhës. Ndryshimet e nivelit të çmimeve maten me ndihmën e indekseve të çmimit.

NORMË INTERESI

Normë interesi quhet çmimi që një huamarrës i paguan huadhënësit për përdorimin e parave të këtij të fundit, apo thënë më thjesht, çmimi i parasë të marrë hua.

OBJEKTIVAT E POLITIKËS MONETARE

Çdo regjim i politikës monetare në mënyrë të qartë fikson një qëllim final për të arritur. Literatura e shumtë tregon se qëllimi (objektivi) final i politikës monetare, në përgjithësi, është kontrolli mbi çmimet. Megjithatë, po literatura përmend raste kur rolin e objektivit final e luan edhe rritja ekonomike, punësimi, ekuilibri i jashtëm i vendit etj.. Pavarësisht nëse objektiv përfundimtar i politikës monetare do të jetë vetëm stabiliteti i çmimeve apo do të ketë dhe objektiva të tjerë, duhet theksuar se suksesi final arrihet falë përzgjedhjes së një objektivi të ndërmjetëm (forma e objektivit të ndërmjetëm përcakton edhe llojin e regjimit të politikës monetare), realizimi i të cilit përbën kontribuesin kryesor në përmbushjen e objektivave finalë.

OPERACION I DREJTPËRDREJTË NË TREG TË HAPUR

Shitja ose blerja e drejtpërdrejtë e aseteve jomonetare nga ana e Bankës Qendrore për apo nga sektori bankar e pa një marrëveshje korresponduese për ta ndryshuar transaksionin në një datë të mëvonshme.

PAGESË

Instruksion pa kushte për depozitim, tërheqje apo transferim fondesh, iniciuar nga urdhëruesi për tek banka e përfituesit, e transferuar në formë elektronike apo me letër, me qëllim vendosjen e fondeve në dispozicion të përfituesit. Një pagesë mund të kryhet edhe në rastet kur urdhëruesi dhe përfituesi është i njëjti person.

PARA ELEKTRONIKE

Instrument pagese, i ndryshëm nga instrumenti i pagesave në distancë, i cili ruan vlera monetare në formë elektronike dhe që i mundëson mbajtësit të kryejë pagesa elektronike, ky instrument mund të rimbushet me vlera monetare sa herë është e nevojshme.

PARAJA FIZIKE (CASH)

Kartëmonedhat dhe monedhat metalike. Cash–i i hedhur në qarkullim nga institutet e emetimit ose nga bankat qendrore dhe që publiku e përdor çdo ditë, nuk është gjë tjetër veçse paraja që ne shohim dhe prekim. Ajo përdoret veçanërisht në transaksionet (shitblerjet) e përditshme, në shuma të vogla.

PARIM NEUTRALITETI

Për qëllime të TVSH-së, përcaktohet në termat e neutralitetit në konkurrencë, që do të thotë se mallrat e ngjashme duhen ngarkuar me të njëjtën barrë tatimore, pavarësisht nga gjatësia e zinxhirit të prodhimit e shpërndarjes dhe në tregtinë ndërkombëtare, të bëhet e ditur, në mënyrë që të sigurohet një barazim i saktë i asaj shume.

PASIVI

Pasivi është një detyrim aktual i njësisë ekonomike raportuese, që ka lindur nga ngjarje të shkuara dhe shlyerja e të cilit pritet të shoqërohet me daljen e burimeve në të ardhmen. Pasivi njihet në bilanc, nëse njesisë ekonomike, për të bërë shlyerjen e tij, do t’i duhet të veprojë në një mënyrë të tillë, që do të shkaktonte dalje të përfitimeve ekonomike.

PRITSHMËRITË RACIONALE

Teoria sipas të cilës njerëzit i përdorin optimalisht të gjitha informacionet që ata kanë, duke përfshirë informacionet mbi politikat qeveritare, kur parashikojnë të ardhmen.

PRODUKTE DHE SHËRBIME FINANCIARE

Të gjitha ato produkte dhe shërbime që ofrohen nga institucione financiare. Shembuj të tyre janë kreditë , depozitat, llogaritë rrjedhëse dhe të kursimit, kartat bankare, shërbimet e pagesave e të transfertave të parave dhe këmbimi valutor, tregues dhe derivate financiarë në bursa.

QKB

Qendra kombetare e biznesit mundeson informimin rreth licensave dhe bizneseve te ndryshme.

REPO

Është marreveshje riblerjeje me anë të së cilës Banka e Shqipërisë aktualisht manipulon ofertën e parasë. Në një kuptim më teknik, marrëveshja e riblerjes nënkupton një marrëdhënie huazimi (kreditimi në rastin e repos së anasjelltë) në themel të së cilës qëndron angazhimi i bankës qendrore (bankës tregtare) që, në përfundim të kohëzgjatjes së marrëveshjes, të kryejë një transaksion të kundërt: t’i kthejë bankës (Bankës së Shqipërisë) likuiditetin. Si garanci për këtë transaksion shërbejnë letrat me vlerë të qeverisë. Gjatë kohëzgjatjes së operacionit, banka qendrore merr nga bankat tregtare një kredi afatshkurtër në lekë, kredi për të cilën ajo paguan një interes të caktuar të llogaritur mbi përqindjen e repos. Kështu, nga një pikëpamje ekonomike, një repo i korrespondon një huaje të mbështetur në një garanci. Ajo është një nga instrumentet kryesore të politikës monetare të bankës qendrore, me anë të të cilës Banka e Shqipërisë administron likuiditetin në sistemin bankar.

RIMBURSIM

Tatim i ripaguar një tatimpaguesi. Kjo ripagesë shpesh ndodh si rezultat i mbajtjes së tatimit në burim nga paguesi i të ardhurav në një shkallë të caktuar të tatimit, ndërkohë që marrësi i këtyre të ardhurave është i përjashtuar nga tatimi ose tatohet me një shkallë më të ulët tatimore. Rimbursimi i TVSH-së ndodh në rastin e tepricës së TVSH-së së kreditueshme ndaj TVSH-së së zbatueshme. Një situatë e tillë mund të lindë në rastin e eksporteve me shkallë zero.

RREZIK FINANCIAR

Mundësia e humbjes financiare, si rezultat i një ngjarjeje të pritshme. Rreziqet kryesore financiare janë: rreziku i ndryshimit të tarifave tatimore; rreziku i kursit të këmbimit’ rreziku i normave të interesit, rreziku i uljes së vlerës së titujve ne bursë.

SISTEMI BANKAR

Tërësia e të gjitha bankave plus dhe bankën qendrore të një vendi.

SHËRBIME

Janë veprimtari ekonomike që nuk materializohen në sende të prekshmepor që plotësojnë nevoja personale të individëve e të bizneseve.

SHPENZIMET

Shpenzimet janë flukse dalëse (pakësimet e përfitimeve ekonomike) gjatë periudhës raportuese, që rezultojnë në pakësimin e aktiveve apo rritjen e pasiveve, dhe që zvogëlojnë kapitalin e njesisë ekonomike, duke përjashtuar këtu ato që lidhen me shpërndarjet te pjesëmarrësit e kapitalit.

SHPENZIM I PAZBRITSHËM

Si rregull i përgjithshëm, shpenzimet e kryera nga një tatimpagues nuk janë të zbritshme për qëllime të tatimit mbi të ardhurat, përveç shpenzimeve që kryhen për qëllimin e përfitimit të të ardhurave përkatëse ose të nxjerrjes së fitimeve përkatëse. Shpenzimet e kryera për blerjen e artikujve për përdorim ose konsum personal të tatimpaguesit zakonisht nuk janë të zbritshme.

TATIM I MBAJTUR NË BURIM

Një palë e tretë ngarkohet me detyrën për zbritjen e tatimit nga disa lloje pagesash, për ta derdhur atë për llogari të shtetit. Tatimet e mbajtura në burim ndeshen praktikisht në të gjitha sistemet tatimore dhe përdoren gjerësisht për dividendët, interesat dhe honoraret/qiratë e shfrytëzimit të nëntokës dhe pagesa të ngjashme. Kur pagat dhe rrogat përfaqësojnë të ardhurën bazë të tatueshme, zakonisht vendoset një tatim mbi rrogën, si tatim i mbajtur në burim.

TRAFIKU I PAGESAVE

Trafiku i pagesave nënkupton të gjitha pagesat monetare si ato në formë cash–i ashtu edhe ato me kalim në llogari (nëpërmjet transferimeve nga një llogari në tjetrën) dhe ato elektronike.

TVSH E ZBATUESHME

Është TVSH-ja që duhet paguar në organet tatimore nga personat e tatueshëm në lidhje me furnizimet e mallrave ose shërbimeve të kryera për palë të treta ose furnizimet e paragjykuara të tilla si konsumi personal. Edhe pse duhet t’i paguhet organeve tatimore, koncepti i TVSH-së së zbatueshme nuk mbulon TVSH-në e pagueshme nga personi i tatueshëm nëpërmjet mekanizmit të pagesës së anasjelltë ose të skemave të pagesës së shtyrë, apo nëpërmjet importit të mallrave ose përfitimit të mallrave ndërkombëtare.

TVSH E KREDITUESHME

TVSH-ja e paguar nga personat e tatueshëm në lidhje me mallrat dhe shërbimet përdoret për qëllime të kryerjes së transaksioneve të tatueshme, pra transaksione që janë subjekt i një shkalle pozitive ose zero. TVSH-ja e kreditueshme është përgjithësisht e zbritshme. Kur mallrat dhe shërbimet përdoren përdoren për qëllime të përjashtuara, TVSH-ja e kreditueshme është përgjithësisht e pazbritshme. TVSH-ja e kreditueshme zbritet nga TVSH-ja e zbatueshme në deklaratën periodike të TVSH-së së përsonit të tatueshëm.

TATIM PËRFUNDIMTAR

Termi përdoret për të përshkruar të ardhurat që janë subjekt i tatimit të mbajtur në burim dhe që nuk përfshihen në të ardhurat për qëllime të llogaritjes së tatimit me shkallë progresive. Tatimi i mbajtur në burim përfaqëson kështu detyrimin tatimor përfundimtar të tatimpaguesit në lidhje me të ardhurat në fjalë.

TATIMI ME SHKALLË FISKE

Tatimi me shkallë fikse ndodh kur zbatohet një shkallë e vetme tatimi, pavarsisht nga shuma e të ardhurave. Një sistem me shkallë fikse ose shkallë përpjestimore karakterizohet nga fakti që shkalla margjinale e tatimit është e barabartë me shkallën mesatare të tatimit. Një tatim me shkallë fikse pergjithësisht konsiderohet si tatim regresiv. Sipas skemave të TVSH-së me shkallë fikse, biznesi i vogël përjashtohet nga sistemi normal i TVSH-së, sepse nuk gëzon të drejtën për të zbritur TVSH-në e kreditueshme. Nga ana tjetër, biznesi i vogël paguan vetëm TVSH-në e zbatueshme me shkallë (fikse) të reduktuar.

TATIM I PARAGJYKUAR

Koncepti i tatimit, sipas të cilit, tatimi mbi të ardhurat bazohet në “mesataren” ose në një shumë hipotetike të të ardhurave dhe jo të të ardhurave faktike. Tatimi i paragjykuar mund të zbatohet për të ardhurat nga kapitali ose të ardhura nga puna. Për pasuri të paluajtshme tatimi mbi të ardhurat mund të bazohet në një normë mesatare reale fitimi, bazuar në vlerën kadastrale të pasurisë. Tatimi i paragjykuar për të ardhurat nga puna mund të jetë një alternativë në rastet kur tatimi i të ardhurave faktike bëhet i vështirë, pra në rastin e profesioneve të lira dhe të vetpunësuarve.

TRANSFERTË DEBITIMI

Pagesë e autorizuar nga urdhëruesi dhe iniciuar nga përfituesi, pranë bankës së përfituesit. Në një transfertë debitimi, urdhëri i pagesës lëviz nga banka e përfituesit për tek banka e urdhëruesit, ndërsa fondet lëvizin nga banka e urdhëruesit për tek banka e përfituesit.

TRANSFERTË KREDITIMI

Pagesë e iniciuar nga urdhëruesi, pranë bankës së urdhëruesit, me qëllim vendosjen e fondeve në dispozicion të përfituesit. Në një transfertë kreditimi, si urdhëri i pagesës ashtu edhe fondet lëvizin nga banka e urdhëruesit për tek banka e përfituesit. Një ose disa banka apo sisteme pagesash mund të jenë të përfshira në një transfertë kreditimi.

TERMINALI

Pajisje elektronike e cila bën të mundur tërheqjen ose depozitimin e parasë cash, pagesa të shërbimeve, transferim fondesh ndërmjet llogarive, nxjerrje llogarie apo përdorimin e kartave në një pikë shitjeje për blerjen e të mirave dhe shërbimeve. Terminalet operojnë si në regjim online, ku baza e të dhënave aksesohet në kohë reale, ashtu edhe në regjim offline, ku procesimi dhe aprovimi i një transaksioni në një terminal bëhet pa kontaktuar emetuesin.

UNION

Bashkim; kompanish, individësh, etj. për qëllime të përbashkëta

VALUTA

Monedha në qarkullim në një vend dhe letrat bankare që e përfaqësojnë. Në ekonomi valutat mund të rriten në vlerë ose të ulen, në raport me valutat e tjera.

VLERA

Monedha në qarkullim në një vend dhe letrat bankare që e përfaqësojnë. Në ekonomi valutat mund të rriten në vlerë ose të ulen, në raport me valutat e tjera.

XETRA

Një sistem tregtar tërësisht elektronik i bazuar në Frankfurt, Gjermani. U lançua në 1997 dhe operohet nga Deutsche Börse, për të rritur fleksibilitetin për të parë blerjet brenda tregjeve dhe ofron shkëmbime të aksioneve, fondeve, obligacioneve, garancive dhe kontratave të mallrave.

Sistemi Xetra u krijua fillimisht për përdorim në bursën e Frankfurtit, por është zgjeruar për t’u përdorur nga në të gjithë Evropën.

YIELD-I, KURBA E    YIELD-IT

Përqindja vjetore në kthim nga një investim, e shprehur në përqindje. Ndërkohë, kurba e yield-it tregon lidhjen ndërmjet yield-eve dhe datave të maturimit për një grup obligacionesh, zakonisht për obligacione të qeverisë, në një moment të caktuar.

ZBRITJE

Zbritjet (ndonjëherë quajtur edhe zbritje tatimore) përgjithësisht janë elementë që mund të hiqen, ose zbriten, gjatë llogaritjes së të ardhurës së tatueshme. Zbritjet jepen më shpesh në lidhje me shpenzimin aktual, por ato mund gjithashtu të jenë shuma fikse, në vend të shpenzimit aktual. Termi zbritje përdoret për të zëvendësuar termin “lehtësi”. Për qëllime të TVSH-së, zbritjet janë shuma e TVSH-së së kreditueshme që një person i tatueshëm ka të drejtë t’i rimbursojë, kundrejt TVSH-së së zbatueshme.

ZERO PËRQIND

Një përqindje interesi promocionale, e cila ofrohet zakonisht për blerjen e mallrave si elektroshtëpiaket. Ajo ka kohëzgjatje të përkohshme, si psh. 6 muaj ose një vit dhe mund t’u ofrohet vetëm konsumatorëve me vlerësime pozitive kreditimi.