Zinxhiri i dyqaneve luksoze në Britani blihet për 4 miliardë paund nga një konglomerat tajlandez!
Shitësi me pakicë Selfridges, në Mbretërinë e Bashkuar zotëron 25 pika, duke përfshirë një dyqan të madh kryesor në Oxford Street të Londrës dhe degë në Dublin, Holandë dhe Kanada. Pronari i Selfridges, familja Weston, ra dakord për kushtet e shitjes me Central Group në ditët e fundit, sipas Times, e cila raportoi për herë të parë marrëveshjen.
Selfridges u themelua në vitin 1908 nga manjati amerikan i shitjes me pakicë, Harry Gordon Selfridge. Ajo është në pronësi të miliarderit Westons për 18 vjet. Familja Weston nxorri në shitje zinxhirin në qershor, disa muaj pas vdekjes së Galen Weston, i cili mbikëqyri lëvizjen për të marrë dyqanin privatisht në 2003.
Familja kontrollon Selfridges përmes Wittington Investments Ltd, në Kanada, e cila është e ndarë nga krahu i Mbretërisë së Bashkuar me të njëjtin emër që zotëron një aksion të madh në Associated British Foods, pronar i Primark. Central Group është një konglomerat në pronësi të familjes që filloi në Bangkok, por u bë globale kur djali i themeluesit, Samrit Chirathivat, hapi dyqanin e parë të mallrave në Tajlandë në 1956.
Tani ajo ka 3700 dyqane në mbarë botën, nga supermarketet deri te pikat elektronike dhe dyqanet në Europë. Drejtori joekzekutiv i Central Group Vittorio Radice drejtoi Selfridges midis 1996 dhe 2003 dhe ka menaxhuar një dyqan në Itali që nga viti 2006. Roli i tij përfshin përgjegjësinë për zgjerimin në Europë.
Një ndarje e grupit, Central Retail, shkaktoi konfuzion nëse një shitje e Selfridges kishte dështuar kur lëshoi një njoftim të shkurtër të bursës se “aktualisht nuk ishte i përfshirë” në një marrëveshje. Megjithatë, kuptohet që Westons, një nga familjet më të pasura kanadeze, janë në bisedime me një krah tjetër të kompanisë gjigante Central Group.
Është e paqartë pse familja ka vendosur të shesë, megjithëse si shumë shitës me pakicë, biznesi ka vuajtur gjatë bllokimit dhe mungesës së turistëve të nivelit të lartë në qendrat e qyteteve. Biznesi pati shitje prej gati 2 miliardë paund në vitin deri në shkurt 2020, por kur të publikohen llogaritë më të fundit, ato ka të ngjarë të tregojnë një rënie të madhe. BBC
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.