10 linja të reja ajrore – Ja destinacionet, MIE: Do të operojnë gjatë sezonit turistik
Në prag të sezonit turistik, Autoriteti i Aviacionit Civil ka miratuar kërkesat për 10 destinacione të reja, ndërsa për 3 të tjera ka 2-fishuar kapacitetin. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë këto linja do të funksionojnë gjatë periudhës së sezonit veror, duke filluar prej muajit maj e deri në shtator apo tetor.
Referuar linjave të reja, prej datës 11 maj do të nisin fluturimet Helsinki-Tiranë, që do të ofrohen deri në datën 28 shtator. Ndërkohë, nga data 2 qershor – 18 gusht do të ketë fluturime për destinacionin Kopenhagen-Tiranë. Linja të reja do të ketë edhe për destinacione si Moska, Stokholmi, Oslo apo Varshava dhe Praga. Gjithashtu, fluturime do të ketë edhe drejt Tel Avivit apo drejt aeroportit të Lutonit në Angli.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, miratimi i këtyre linjave pritet të sjellë një ndikim të konsiderueshëm në numrin e turistëve në vendin tonë. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për tre muajt e parë të vitit rreth 561 mijë pasagjerë përdorën transportin ndërkombëtar ajror për të hyrë ose dalë nga Shqipëria. Numri i pasagjerëve është në rritje me 10.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar rritje për të shtatin vit me radhë.
Sipas statistikave zyrtare, në 3-mujorin e parë të vitit 2013 numri i pasagjerëve arriti në rreth 358 mijë, çka do të thotë se në raport me këtë vit, për 2018 transportin ajror e përdorën rreth 200 mijë pasagjerë më tepër. Rritja e numrit të pasagjerëve është edhe një prej arsyeve që qeveria shqiptare të nisë negociatat me një konsorcium turk për ndërtimin e një aeroporti në zonën e Akërnisë në Vlorë dhe të rrisë përpjekjen për vënin në funksion të Aeroportit të Kukësit.
Destinacionet e reja Charter.
- Helsinki-Tiranë. Fluturim në periudhën 11 Maj – 28 Shtator.
- Kopenhagen-Tiranë. Fluturim në periudhën 2 Qershor- 18 Gusht.
- Budapest-Tiranë.
- Moskë-Tiranë. Fluturim në periudhën 19 Qershor-11 Shtator.
- Stokholm/Oslo/Goteborg. Fluturim në periudhën 12 Maj – 2 Tetor.
- Goteborg-Tiranë. Fluturim në periudhën 6 Qershor – 3 Tetor.
- Gdansk/Poznan/Warsaw/Prague/Katowice/LondonGatwick. Periudha e fluturimit nga Qershor deri në Shtator.
Destinacionet e reja skedule
- Tel Aviv-Tiranë. Periudha e fluturimit fund Qershori deri në 26 Tetor.
- Luton-Tiranë. Fluturim në periudhën 19 Prill deri në 27 Tetor.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.