2018, rimbursimi i paketave të reja – Buxheti i Fondit mbi 40 mld lekë. Përfshihet radioterapia e katarakti
Pacientët shqiptarë për vitin 2018 do të përfitojnë edhe dy paketa të reja të rimbursuara nga Fondi.
Me një Vendim të Këshillit të Ministrave gjatë këtij viti do të rimbursohen edhe paketat e trajtimit të kataraktës si dhe paketa e shërbimit të radioterapisë me akselerator linear.
Buxheti i sigurimeve shëndetësore për vitin 2018 është 40 miliardë e 400 milionë lekë. Prej të cilave rreth 10 miliardë e 400 milionë lekë do të përdoren për rimbursimin e barnave.
Sipas parashikimeve të Ministrisë së Shëndetësisë fillimi nga puna i akseleratorit linear për pacientët që trajtohen me radioterapi do të jetë në vlerën e 8 miliardë lekëve duke përfshirë këtu edhe 5 citostatikë të rinj për trajtimin e kancerit të gjirit.
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor do të rimbursojë fishat e matjes së glicemisë për personat 0-18 vjeç që vuajnë nga diabeti. Kostot për trajtimin e një pacienti me diabet janë direkte dhe indirekte.
Kostot indirekte që në Shqipëri nuk maten janë ato që kanë të bëjnë me rendimentin në punë të një pacienti me diabet.
Tek kostot direkte hynë të gjitha shpenzimet që duhet të bëjë një pacient për të mbajtur nën kontroll sëmundjen.
Nëse një person nuk është i siguruar nuk mund të përfitoj rimbursim të insulinës e cila një pacienti mund ti kushtojë 5000 – 20.000 lekë sipas gjendjes në të cilën ndodhet.
Për personat të cilët kanë tipin e parë të diabetit dhe si rezultat u duhet të bëjnë më shpesh matjen e glicemisë kostot janë edhe më të mëdha pasi shteti deri para këtij vendimi nuk i rimbursonte fishat për këtë matje.
Çmimi i një fishe të tillë është 50 lekë por për katër deri në pesë matje në ditë, kjo shumë e rëndon së tepërmi xhepin e pacientit .
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor rimburson edhe paketat e kardiologjisë, dializës, transplantit të veshkës dhe implanti koklear për fëmijët që nuk dëgjojnë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.