2020, rekord prej 896 padish kundër ATP – Agjencia e ka pasur të pamundur të ndjekë fluksin e gjyqeve me pronarët
Siç edhe ishte paralajmëruar, Agjencia e Trajtimit të Pronave e ka mbyllur vitin 2020 me një numër record prej 896 padish në gjykata kundër vendimeve të saj për kthim kompensim pronash. Të dhënat janë publikuar nga vetë Agjencia në raportin e aktivitetit të saj për vitin e shkuar. Ndërkohë që më herët, Agjencia kishte raportuar pranë Ministrisë së Drejtësisë se e kishte të pamundur t’i ndiqte këto padi nëpër gjykatat përkatëse.
Ajo i ka raportuar Ministrisë se nga zyra e përfaqësimit ligjor janë ndjekur 265 çështje, të cilat janë regjistruar pranë ATP-së në Gjykatat e Rrethit Tiranë, ku përfshihen Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit, Gjykata Administrative e Shkalles së Pare dhe Gjykata Administrative e Apelit. Në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe të Apelit janë ndjekur çështje që kanë të bëjnë me njohjen e të drejtës së pronësisë, ndërsa në gjykatat administrative janë ndjekur çështje që kanë si objekt vlerësimin e pronës së njohur për kompensim. Referuar të dhënave të raportuara rezulton se fluksi i padive ka pësuar rënie krahasuar me një vit më parë .
“Gjithashtu ne këtë sektor gjatë periudhës janar- dhjetor të vitit 2020 janë administruar 631 padi nga të gjitha gjykatat e vendit ku përfaqësuesit e ATP-së pavarësisht se nuk kanë marrë pjesë fizikisht, kanë kryer procedurat në mënyrë shkresore përfshirë ankimet dhe rekurset ku ka qene ë nevojshme.”, shkruan në raportin zyrtar të Agjencisë së Trajtimit të Pronave për Ministrinë e Drejtësisë.
Ndërkohë që është vetë Agjencia ajo që parashikon që fluksi i padive të vijojë në rritje, duke bërë me dije se rreth 7 mijë pronarë mund t’i drejtohen gjykatave në vijim pasi kërkesat e tyre nuk kanë marrë përgjigje nga kjo e fundit.
Ndërkaq, një numër shumë i madh padish të ngritura nga pronarët presin prej vitesh nëpër gjykata, veçanërisht në atë të Lartën. Ndërkohë që sipas parashikimeve, paditë do të vijojnë për shkak të shifrave shumë të larta që pretendojnë pronarët nga shteti. Vetë Agjencia e Trajtimit të Pronave ka vlerësuar se se fatura financiare për kompensimin e pronarëve arrin në 101 miliardë lekë, afërisht 1 miliardë dollar, ndërkohë që shoqatat e pronarëve pretendojnë një vlerë rreth 4 herë më të madhe.
Për t’u nënvizuar është se Gjykata e Strasburgut ka vendosur që fatura e Kompensimit për pronarët të mos jetë më e vogël se 10% e vlerës së tregut, ndërkohë që Ligji I vitit 2015 për Trajtimin e Pronës tashmë është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Do të jetë Parlamenti i ri ai që do të përcaktojë formulën e re të kompensimit të pronave, e cila do të rrisë ndjeshëm faturën financiare që shteti duhet t’u paguajë pronarëve. Në pritje të Ligjit të ri, Agjencia ka pezulluar kompensimin e pronarëve.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.