2020, shqiptarët përdorën më pak celularët – Tremujori III, AKEP: Numri i abonentëve aktivë ra me 5.4%, i përdoruesve të internetit 1.3%
Vështirësitë ekonomike të vitit që sapo lamë pas, të diktuara fillimisht nga tërmeti i 26 nëntorit e më tej nga Pandemia Covid 19, kanë tkurrur edhe sektorin e telefonisë celulare. Raporti i sapo publikuar nga AKEP për performancën e këtij sektori në tremujorin e tretë flet për tkurrje në të gjitha drejtimet, si për numrin e pajtimtarëve, ashtu edhe volumin e thirrjeve apo mesazheve të kryera mes tyre.
Numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM në fund të T3 2020 ishte rreth 3,434,770 prej një rënie me 2.1% në krahasim me T3 2019; Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare gjatë T3 2020 arriti në rreth 2.44 milionë po ashtu me rënie rënie prej 5.4% në krahasim me T3 2019; të njëjtin fat ka pësuar edhe Numri i përdoruesve aktivë të aksesit broadband në Internet nga rrjetet celulare në T3 2020 ishte rreth 1.95 milionë, duke shënuar një rënie me 1.3% në krahasim me Tremujorin e tretë 2019.
Reduktimi i numrit të pajtimtarëve është përkthyer në tkurrje të komunikimeve të shqiptarëve përmes telefonave celularë.
Totali thirrjeve dalëse të gjeneruara nga pajtimtarët celularë në Shqipëri në T3 2020 ishte rreth 1.37 miliardë minuta, me një rënie prej 3.9% me T3 2019.
Megjithatë AKEP raporton për përmirësim të treguesve gjatë muajve të verës krahasuar me gjysmën e parë të vitit, kur tkurrja e tregut të telefonisë celulare ka qenë shumë më e fortë. Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare u rrit me rreth 7.9% krahasuar me T2 2020; Numri i përdoruesve aktivë të aksesit broadband në Internet nga rrjetet celulare u rrit me 25.1% në raport me tremujorin e mëparshëm; ashtu si dhe volume i thirrjeve që shënoi një përmirësim prej 8.2%.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.