500 deri në 300 mijë euro për falsifikim dokumentesh – Arrestohen 4 shtetas
Policia e Shtetit njofton se në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e krimeve ekonomike e financiare, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, nga specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Lezhë, nisi procedimi penal për goditjen e veprimtarinë së paligjshme të falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimeve kompjuterike, nga disa persona.
Sipas informacionit të publikuar pas një hetimi proaktiv 3-mujor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, nga ana e DVP Lezhë, mbështetur nga Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria e Forcës Operacionale në DPPSH, DVP Tiranë dhe Elbasan, u organizua dhe u finalizua operacioni policor “Identiteti” në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: P. M., 61 vjeç, banues në Tiranë, H. H., 34 vjeç, banues në Tiranë, A. R., 27 vjeç, banues në Tiranë dhe E. M., 21 vjeç, banues në Korçë.
Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim policor dhe punohet për kapjen e shtetasve: A. T., 52 vjeç, banues në Elbasan dhe I. M., 41 vjeç, banues në Tiranë.
Policia informon se gjatë operacionit është zbuluar një laborator që dyshohet se shërbente për prodhimin e dokumenteve të huaja të identifikimit, të dyshuara të falsifikuara, dhe një ambient ku ushtrohej aktivitetit i dyshuar i mashtrimit kompjuterik, ndaj shtetasve të huaj.
Sipas njoftimit gjatë kontrolleve të ushtruara në disa ambiente në Lezhë, Tiranë dhe Elbasan, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: pasaporta dhe karta identiteti bullgare, karta identiteti spanjolle, pasaporta, karta identiteti dhe leje drejtimi italiane, fotokopje dokumentesh të huaja e shqiptare, pasaporta shqiptare, certifikata, 11 njësi kompjuterike, karta bankash, laptopë, USB që përmbanin të dhëna personale të disa shtetasve të huaj të mashtruar nga shtetasit e lartpërmendur, duke përfituar shumë të ndryshme monetare që variojnë nga 500-300.000 euro.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.