“60 Minuta” me Arbër Hitaj, ministrja Spiropali: “Shqipëria progres të pandalshëm drejt integrimit. Brenda muajve ngrihet Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë “
Aktualiteti politik në këndvështrimin e mazhorancës ishte fokusi i emisionit “60 Minuta” këtë të martë nga gazetari Arbër Hitaj në RTV SCAN. E ftuar në studio ishte ministrja e shtetit për parlamentin, znj.Elisa Spiropali. Znj.Spiropali theksoi se shqiptarët duhet t’i japin një mandat të tretë PS pasi ata janë vendosur për ta bërë Shqipërinë një vend europian. Ndërkohë që përjashtoi mundësinë që PS mund të ketë koalicione paszgjedhore pasi do t’i fitojnë 71+ mandate. Lidhur me debatin mes presidentit znj.Spiropali shtoi se PS nuk ka asnjë debat me institucionet e shtetit por nuk do të lejojnë që Shqipëria të bëhet pronë e një njeriu. Gjithashtu lidhur me drejtimin e PS nga Rama ajo tha se Edi Rama nuk ka krahasim me asnjë lider tjetër në PS apo në forcat e tjera politike.
Gjykata Kushtetuese është një kërkesë e BE dhe partnervëve tanë ndërkombëtarë. A do të jetë e mundur të votohen emrat për ta bërë funksionale brenda këtij sesioni parlamentar?
Ne shpresojmë shumë dhe kemi bërë gjithçka si mazhorancë që reforma në drejtësi në tërësi të kalojë e paprekur në ngritjen e institucioneve, në buxhetet që duhen alokuar për institucionet. Përgjegjësia është e trefishtë sepse është Kuvendi i Shqipërisë, Presidenca edhe insitucione të tjera që kanë përgjegjësi për paraqitjen e kandidaturave. Ne besojmë që shumë shpejt, brenda këtyre muajve do të mbyllet ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Pra, për tu bërë plotësisht funksionale sepse sigurisht që ka aty minimumin e funksionalitetit por duhet të bëhet plotësisht funksionale. Besoj jemi në kohë për ta përfunduar.
Përsa i përket integrimit dhe lidhjes që reforma në drejtësi ka me procesin e integrimit është një lidhje e pazgjidhshme sepse siç dihet reforma në drejtësi është në krye të kërkesave. Por, mbi të gjitha është në krye të lëvdatave të raporteve të BE përsa i përket reformave që janë marrë në të gjithë rajonin e Ballkanit. Pra, konsiderohet si një shembull pozitiv. Mos të harrojmë që janë kaluar dhjetëra ligje, përveç votimit në 2016 të ndryshimeve Kushtetuese, janë votuar ligje, janë ngritur institucione, është ngritur BKH, është ngritur SPAK, vetingu po bën punën e tij dhe janë larguar nga sistemi drejtësisë prokuror dhe gjykatës të korruptuar. Në këtë fazë ngrihet Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë. Ka një keqkuptim përsa i përket datave, në mars të 2020 Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë marrë dakortësinë , PO- në pa kthim përsa i përket çeljes së negociatave. Çështja është takimi i parë në tryezën ndërqeveritare për të filluar procesin e negocimit të kapitujve, por puna nuk ka ndalur në asnjë hap. Sigurisht ka edhe arsye të tjera, siç ishte rasti i Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut, apo siç mund të ketë edhe vende skeptike përsa i përket datës kur duhet të ulemi, por Shqipëria PO-në e pakthyeshme tashmë e ka marrë në mars të 2020.
A është normale të kemi dy institucione kushtetuese, Kryeministi-Presidencë, të bëjnë këtë betejë mediatike sepse nuk është se kemi parë substancë ligjore në këtë diskutim?
Ne nuk kemi asnjë betejë me institucionet e shtetit shqiptar. Ilir Meta ka një betejë politike në zgjedhjet e 25 prillit. Është e padëgjuar që Presidenti i Republikës, në këtë rast Ilir Meta, të përfshihet kokë e këmbë në fushata zgjedhore. Për më tepër të dalë nga binarët institucional dhe njerëzor duke sulmuar mazhorancën, duke u përfshirë në fushatë hapur në territor me lloj soj personazhi por edhe nga tribunat e Presidencës dhe të përdor pozicionin e tij si një armë në luftën politike. E padëgjuar që Presidenti i Republikës të flasë për pushkë, për armë, për rrëzim të regjimit, për heronj që do shpaguajnë popullin e të tjera çudira. Ne jemi të habitur nga kjo sjellje edhe pse dimë arsyet. Dëshpërimi i tij i madh që sheh forcën e tij politike që ia ka trashëguar bashkëshortes t’i shkërrmoqet para syve dhe trashgëminë e tij poltike të degradojë. Mund të jetë dëshpërim i madh kjo për Ilir Metën por nuk mund të jetë arsye që njerëzit, qytetarët dhe shteti shqiptar të vuajnë pasojat e këtij dëshpërimi personal dhe partiak. Nuk mund të jetë Shqipëria pronë e një njeriu, ashtu siç e trashëgoi partinë te bashkëshortja dhe familja, dhe të gjithë partinë e ka një SHPK në duart e familjes së tij, të bëjë pronë gjthë Shqipërinë. Jo vetëm nuk do ta lejojmë, por njerëzit qytetarët nuk do ta lejojnë.
Pse duhet shqiptarët t’i japin besimin PS për nja mandat të tretë, të thyejë atë tabunë që nuk ka ndodhur ndonjëherë në politiken shqiptare?
Për të gjitha arsyet. Partia Socialiste, Edi Rama, janë të vendosur për ta bërë Shqipërinë një vend europian. Me një shtet të formuar si pjesë e një kombi të fortë në Ballkan. Ne kemi bërë shumëçka në mandatin e parë dhe në mandatin e dytë për të kthyer ligjshmërinë në vend, për të caktuar normat, jo vetëm të komunikimit por edhe të shtet-ndërtimit, nga financat te rendi, te pagesat e energjisë, te investimi, te rilindja urbane, te rilindja rurale tani, te kthimi te puna, arsimi dhe shëndetësia që nuk kanë asnjë krahasim me 2013, infrastruktura etj. Të gjithë sektorët kanë pësuar një ngritje të lartë. Treguesit ekonomikë me 2013 nuk kanë krahasim edhe përsa i përket mbledhjes së të ardhurave edhe përsa i përket investimeve, disiplinës, financave e shumëçka tjetër. Për të mos folur për punësimin që në shifrat para pandemisë kishte një rënie me 6.5 % të papunësisë në vend. Pra, ishte niveli më i ulët në 2019 i papunësisë, 11.3 %, sepse shifrat janë shumë të ndryshme nga propaganda.
Nëse pas 25 prillit PS nuk do të ketë mbi 71 mandate që i nevojiten për të qeverisur vendin, a mund të kemi një koalicion më ndonjë nga forcat opozitare?
Ne do t’i fitojmë 71+ mandate për të qeverisur me Edi Ramën kryeministër dhe PS si mazhorancë. Qytetarët janë të vendosur të ecin përpara me një forcë që është udhëheqëse dhe i drejton nga e mira, nga shtet-ndërtimi, nga forcimi ynë si komb.
Besoni që identifikimi biometrik, numërimi elektronik, vota e emigrantëve mund të aplikohen në zgjedhjet që vijnë edhe pse është një kohë shumë e shkurtër?
Ne i kemi mundësuar përmes marrëveshjes dhe jemi duke punuar në Kuvend që këto pika të marrëveshjes që kemi më opozitën përmes Këshillit Politik të materializohen edhe në ligjet që ne kemi kaluar. Në dijeninë time janë dy kode, Kodi penal dhe Kodi Procedurës Penale, që ndryshojnë për shkak të marrëveshjes, kemi ndërhyrjen në 7 ligje të rëndësishme, kemi evidentimin biometrik të shtetasve dhe disa masa të tjera që kemi rënë dakort. Besoj që kemi edhe vullnetin edhe kohën e duhur për t’i aplikuar në këto zgjedhje.
Si e shikoni PS në drejtimin e Ramës këto 8 vite?
Kemi aplikuar strategji fituese dhe e dëshmojnë faktet. Edi Rama si kryetar i PS ka fituar zgjedhjet e 2013, zgjedhjet e 2015, zgjedhjet e 2017, zgjedhjet lokale pas betejave të egra të opozitës ku ne mbërritem të kishim zgjedhje dhe të ruanim rendin kushtetues në vend që mos të bëheshim një vend qesharak në sytë e botës Pra, kjo strategji e tregon qartazi që si programi, si lideri, si vizioni, si ekipi kanë qenë të duhurit. Dhe është kjo dhe vetëm kjo, ajo që përcakton se kush është një lider i mirë për një forcë politike, të tjerat janë moralizma të dështakëve dhe të humbësve. Dhe jam e sigurt që pas 25 prillit kur PD do t’i humbi zgjedhjet në humbjen e tyre të rradhës, lideri i opozitës do të fillojë sërisht të këndojë alibinë e humbjes dhe do thotë që m’i morën e m’i vodhën votat. Por nuk besoj që do ketë njeri të mbetur në atë parti që të mund t’i besojë.
A u bë me sukses procesi i transformimit në PS pasi u larguan disa figura të rëndësishme dhe u zëvendësuan me figura të tjera të rëndësishme?
Këto janë procese normale në parti që nuk përcaktojnë suksesin apo mbylljen apo autoritarizmin në një parti. Përkundrazi, PS nuk ka krahasim me asnjë parti tjetër në vend, si përsa i përket statutit që është nga më demokratikët, edhe për përfaqësimin gjinor edhe për zgjedhjet në parti nga organizata e deri në nivelet më të larta, as përsa i përket gjallërisë së funksionimit të partisë së brendshme dhe institucioneve dhe zgjedhjeve dhe organizimit kapilar. Edi Rama nuk ka krahasim me asnjë lider tjetër në PS apo në forcat e tjera politike edhe përsa i përket strategjisë fituese edhe përsa i përket hapjes së PS ndaj shoqërisë dhe matjes së pulsit të shoqerisë që unë besoj se është i vetmi kriter sesi mund të gjykohet një lider.
Arbër Hitaj / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.