94 milion euro minus nga të papunët e Covid – 9-mujori, të ardhurat mbi pagat në rënie drastike
Të ardhurat e mbledhura në buxhetin e shteti nga tatimi mbi pagat ka pësuar rënien më të madhe ndër zërat që administrojnë tatimet në 9 muajt e parë të vitit, për shkak të shkurtimeve masive të vendeve të punës si pasojë e pandemisë COVID-19. Kështu, sipas treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave, tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 25.8 miliardë lekë, 11.6 miliardë lekë apo 94 milionë euro, më pak se e njëjta periudhë e vitit 2019, duke pësuar kështu një reduktim me rreth 31.1 për qind. Po ashtu, të ardhurat nga ky zë paraqiten në rënie me rreth 2.2 miliardë ose 8% më pak se plan për periudhën Janar-Shtator 2020.
Sipas Ministrisë së Financave, faktori kryesor në mosrealizimin e Tatimit mbi të Ardhurat Personale është reduktimi i numrit të të punësuarve nga ana e bizneseve si pasojë e Covid 19. Ndërkaq, me rënie paraqiten edhe të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që paguhen nga të punësuarit mbi bazën e pagave, të cilat u realizuan në masën 71.2 miliardë lekë, apo rreth 1 miliardë lekë më pak se 9 mujori 2019. Të dhënat tregojnë edhe goditjen e madhe që ka marrë tregu i punës për shkak të pandemisë, ku sipas të dhënave zyrtare janë mbi 55 mijë individë që kanë dalë të papunë.
Tatimi mbi të ardhurat personale
9-mujori 2019 37.4 miliardë lekë
9- mujori 2020 25.8 miliardë lekë
Të ardhurat nga kontributet
9-mujori 2019 72.2 miliardë lekë
9- mujori 2020 71.2 miliardë lekë
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.