AKEP miraton shitjen e Telekom – “Blerësit nuk kanë aksione në kompani të tjera!”
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka dhënë miratimin paraprak për shitjen e paketës kontrolluese të aksioneve të Telekom Albania te konsorciumi bullgar Albanian Telecom Invest.
Këshilli Drejtues i AKEP është shprehur në argumentimin e vendimit se shoqëria blerëse dhe as aksioneret e saj nuk zotërojnë aksione në shoqëri të tjera të cilat ushtrojnë aktivitet në fushën e telefonisë së lëvizshme në Republikën e Shqipërisë. Në këndvështrimin e AKEP, nuk janë vërejtur arsye për të penguar transferimin e aksioneve te Spas Rusev dhe Elvin Guri. Megjithëse tërthorazi miratimi lidhet me të drejtat mbi autorizimin individual dhe shfrytëzimin e spektrit të frekuencave, AKEP nuk e ka parë të arsyeshme të marrë në konsideratë argumentin që blerësi nuk është shoqëri e specializuar në shërbimet e telekomunikacioneve.
Qeveria shqiptare pati kundërshtuar shitjen e kompanisë te Telekom Srbija, pa argumente të mirëfilltë ligjorë, por duke e motivuar qëndrimin politikisht, ndërsa për konsorciumin bullgar nuk është gjykuar si problem fakti që ajo nuk është kompani e specializuar në këtë treg. Kujtojmë se ky ka qenë një kusht për blerësit në privatizimet e kompanive publike të telekomunikacioneve, si për vetë AMC, ashtu edhe për Albtelecom. Gjithashtu, një kusht i tillë është ndjekur edhe në të gjitha rastet kur janë dhënë autorizimet fillestare për drejtat e përdorimit të frekuencave, si në rastin e Vodafone, ashtu edhe në rastin e Plus Communication.
Pavarësisht miratimit të AKEP, shitja e Telekom Albania do të mund të mbyllet vetëm pasi të jetë marrë autorizimi nga Autoriteti i Konkurrencës, që duhet të shprehet nëse marrëveshja e shitjes paraqet kushte të kufizimit apo dëmtimit të konkurrencës në treg. Megjithatë, duke qenë se marrëveshja nuk sjell përqendrim të tregut, nuk pritet që Autoriteti i Konkurrencës të nxjerrë pengesa për këtë transaksion.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.