Aksioni anti-informalitet mbyll muajin e 2-të – Regjistrohen 4467 biznese të reja, mbyllen 523 subjekte
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka përmbyllur muajin e dytë të aksionit anti- informalitet. Nga të dhënat për gjatë këtyre dy muajve janë përfunduar 15 678 kontrolle, ku 74 për qind e tyre janë realizuar nga zyra, pasuar nga vizitat fiskale apo verifikimet në terren.
Lidhur me subjektet të cilat kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore, nga të dhënat e DPT rezulton se janë 1548 të tilla, të cila kanë kaluar nga biznes I vogël në të mesëm apo kanë ndryshuar kategori brenda biznesit të vogël.
Nga verifikimet e bëra në territor, janë verifikuar 22 027 subjekte, ku 20.8% e tyre janë pezulluar për shkak se kanë rezultuar në shkelje. Sipas DPT, në këto dy muaj janë futur në skemën e sigurimeve shoqërore 898 punonjës dhe janë mbyllur 523 subjekte të paregjistruara dhe janë regjistruar 4467 subjekte të reja.
Ndërsa, sa i takon mbledhjes së detyrimeve të prapambetura, kanë reaguar pozitivisht 2697 subjekte dhe vlera ka arritur shifrën 1 miliard e 928 milionë lekë.
Si rezultat i procesit të fshirjes së detyrimeve për periudhën para vitit 2010 dhe atë 20111-2014, shuma e detyrimit të falur kap shifrën 17 184 miliard lekë. Ndërsa përdorimi i kredisë për shlyerje të detyrimeve në nivel principali rezulton të jetë në vlerën 1 697 miliard lekë.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.