Aplikacioni për celular “Citymapper” do të nisë shërbimin e transportit me autobus në Londër
Citymapper ka qenë prej kohësh një nga opsionet më të mirë për të lëvizur në qendrat më të mëdha urbane falë aplikacionit të tij, por tani do të rrisë me një shkallë shërbimin e ofruar për turistët. Kompania do të fillojë brenda këtij viti të operojë linjën e saj të autobusëve, duke nisur me rrugën e parë komerciale në Lindër.
Autobusi do të funksionojë vetëm natën, nga ora 9 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit, gjatë fundjavave në Londrën Lindore, të cilën Citymapper e ka identifikuar si një zonë me mungesa në shërbimin e transportit.
Përmes të dhënave nga aplikacioni, është zbuluar se linja që do të ndiqet gjatë natës ka një fluks në rritje të vazhdueshme dhe vetë qyteti nuk e mbulon tërësisht nevojën e qytetarëve.
Autobusët e kompanisë do të jenë me ngjyrën jeshile, tradicionale të aplikacionit. Ndryshe nga transporti publik, eksperienca e udhëtarëve në këtë autobus do të jetë edhe më e mirë, falë shumë aksesorëve teknologjikë.
Ekranet smart në brendësi të autobusit do t’u tregojnë pasagjerëve progresin e rrugës, stacionin e radhës, sa kohë do të duhet për të shkuar në destinacionet e radhës, si edhe statusin e shërbimeve të transportit të ndërlidhura, së bashku me njoftimet për vonesa.
Citymapper shpreson të ofrojë të dhëna në aplikacionin e saj edhe për numrin e vendeve të zëna në autobus, në mënyrë që udhëtarët e ardhshëm të dinë nëse do të gjejnë vende të lira për t’u ulur.
Pagesa do të bëhet përmes kartave bankare dhe Apple Pay e Android Pay. Për celularët, çdo sedilje do të ketë edhe porta USB për t’u karikuar.
Rezultatet e këtij eksperimenti do të tregojnë se sa përfitime ka kompania në ofrimin e shërbimit edhe në qytete të tjera.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.