Argument – Rektori Gjata: “Frikë PO, Panik JO. Mijëra vullnetarë na janë bashkuar kundër koronavirusit”
Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata ka qenë i ftuar në emisionin “Argument” ku ka folur për punën e jashtëzakonshme që po bëhet në frontin e parë të luftës me koronavirusin, pikërisht në spitale.
Ai ka shpjeguar se situata për momentin është nën kontroll dhe ka ende kapacitete për të përballuar pacientë të rinj, si dhe ka vlerësuar punën e palodhur të personelit mjekësor:
“Kemi akoma disa spitale në dispozicion. Kapacitet njerëzore janë akoma të pashfrytëzuara plotësisht. Një pjesë e personelit të spitalit po ruhet në kushte të veçanta, pasi ky ishte dhe rekomandimi I parë nga OBSH-ja.
Njerëzit janë duke u trajnuar. Ka filluar një trajnim masiv në të gjithë Republikën. Gjithashtu jam i lumtur që thirrjes së Ministres së Shëndetësisë, për vullnetarë i janë bashkuar 3 mijë njerëz nga studentët, deri tek mjekët pensionistë.”
Gjithashtu Rektori Gjata mendon se qytetarët në këto momente duhet të kenë më shumë sensin e frikës sesa të kujdesit për arsye psikologjike:
“Unë mendoj se në këto kohë duhet të përdorim shprehjen Frikë PO dhe Panik Jo. Pasi frika ka të gjithë elementët njerëzore që të bëjnë të përgjegjshëm për rrezikun që na paraqitet. Duke mos e perceptuar në mënyrë vizive, armikun që kemi përballë frika është më e ulët, duke i ulur në këtë mënyrë barierrat tona për tu mbrojtur. Kjo është e rëndësishme, për panik nuk ka nevojë dhe shqiptarët nuk e kanë treguar një gjë të tillë.”
Rektori Mjekësisë foli dhe për gjendjen e materialeve për të përballuar sfidën, ku një element shumë i rëndësishëm janë respiratorët që nevojiten për pacientët e infektuar. Ai është shprehur se janë porositur edhe 100 paisje të reja:
“Kemi 190 aspiratorë në dispozicion. Janë porositur edhe rreth 100 të tjera. Do të vijnë 6 të parët këto ditë. Janë vënë punë të gjithë kapacitetet që ne kishim. Janë përmirësuar të gjithë aspiratorët e tjerë. Dua të përshëndes edhe disa djem, të cilët në mënyrë vullnetare duke përgatitur një tubë në formë “Y” me një aspirator kanë bërë të mundur të mbahen dy pacientë.” – u shpreh z.Gjata.
G.K / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.