Arsimi parauniversitar, nxënësit që do të përfitojnë 2900 bursa studimi. Kush trajtohet me pagesë suplementare
Nxënësit që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike të arsimit parauniversitar mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, të parashikuara nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.
Në një vendim të fundit të Këshillit të Ministrave thuhet se nxënësit që ndjekin arsimin parauniversitar me kohë të plotë përfitojnë bursë brenda kuotave dhe kritereve të përcaktuara.
Konkretisht, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, për hyrjet e reja në vitin e parë, në sistemin arsimor publik që ndjekin shkollat profesionale për vitin e ri shkollor 2017-2018 do të japë 2 100 (dy mijë e njëqind) bursa, ndërkohë Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për të gjitha kategoritë e nxënësve që ndjekin arsimin parauniversitar, pa përfshirë nxënësit që ndjekin shkollat profesionale, për vitin e ri shkollor 2017-2018, të japë 800 (tetëqind) bursa.
Sipas vendimit, afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave nga njësitë bazë të qeverisjes vendore, për të gjitha kategoritë e shkollave, është data 31 mars 2018.
Konkretisht përfituesit kualifikohen sipas kriterit ekonomik, sipas rezultateve të arritura dhe jashtë kriterit ekonomik.
Sipas kriterit ekonomik
a) Nxënësit e arsimit parauniversitar që vazhdojnë studimet në largësinë mbi 5 km nga vendbanimi i përhershëm i tyre e që plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
b) Nxënësit e arsimit parauniversitar që banojnë në zonat rurale, që nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km, që plotësojnë kriterin ekonomik, bashkëlidhet këtij vendimi, dhe akomodohen në konvikte publike.
Sipas rezultateve të arritura
Nxënësit e arsimit profesional që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës me të gjitha notat 10 (dhjeta).
Jashtë kriterit ekonomik:
a) Nxënës që kanë përfituar statusin e jetimit;
b) Nxënës që kanë humbur kujdestarinë prindërore, me vendim gjykate të formës së prerë;
c) Nxënës që gëzojnë statusin ligjor të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik;
ç) Nxënës që gëzojnë statusin ligjor që nuk shikojnë apo nuk dëgjojnë;
d) Nxënës fëmijë të personave që gëzojnë statusin e invalidit e që përfitojnë pension invaliditeti dhe nuk kanë të ardhura të tjera;
dh) Nxënës të komunitetit rom dhe egjiptian që regjistrohen dhe ndjekin arsimin e mesëm profesional;
e) Nxënës që janë identifikuar dhe trajtuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë humbur kujdesin prindëror;
ë) Nxënës fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës.
“Në fillim të çdo viti shkollor, por jo më vonë se data 31 dhjetor 2017, për këto kategori nxënësish, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Shërbimi Informativ Shtetëror si dhe institucionet e përkujdesit social rezidencial publik duhet të dërgojnë në njësitë bazë të qeverisjes vendore përkatëse ku ndjekin studimet listën e nxënësve përfitues”, thuhet në njoftim.
Sipas degëve parësore
Në vendim thuhet gjithashtu se mund të përfitojnë nxënësit sipas degëve parësore të zhvillimit ekonomik të vendit, vendbanimit të përhershëm, nxënësit që ndjekin me kohë të plotë arsimin profesional:
a) Në drejtimet mësimore: bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologji-miniera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit.
b) Me vendbanim të përhershëm në zonat verilindore dhe juglindore të vendit: Dibër, Bulqizë, Mat, Kukës, Has, Tropojë, Pukë, Mirditë, Malësi e Madhe, Librazhd, Gramsh, Kolonjë, Përmet, Skrapar dhe Tepelenë.
Nxënësit e të gjitha kategorive të mësipërme nuk përfitojnë bursë ose humbasin të drejtën e përfitimit të saj, kur:
a) janë ndarë nga trungu familjar;
b) familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private;
c) shpallen ngelës apo përsëritës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese.
“Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në konsultim me institucionet arsimore, hartojnë planin e shpërndarjes së bursave për nxënësit e arsimit parauniversitar dhe arsimit profesional, që ndjekin vitin e parë akademik 2017-2018 dhe ua dërgojnë njësive bazë të qeverisjes vendore, jo më vonë se data 31 dhjetor 2017.
Nxënësit e shkollave profesionale që ndjekin vitin e dytë në drejtimet mësimore: bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologji-miniera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit, që kanë përfituar bursë në vitin e parë 2016-2017 dhe që nuk rezultojnë mbetës, përfitojnë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit.
Bursat e nxënësve për vitin e parë shqyrtohen dhe miratohen nga këshilli bashkiak, sipas vendbanimit të përhershëm të prindit/nxënësit, përfitues të bursës/kuotës ushqimore. Gjithashtu edhe për vitin e dytë e lart rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit, nga këshilli bashkiak, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të shkollave profesionale apo konvikteve ku janë vendosur nxënësit, përfitues të bursës/kuotës ushqimore.
Nxënësve që kanë përfituar statusin ligjor të jetimit, të invalidit paraplegjik, tetraplegjik, statusin ligjor të personave që nuk shikojnë, të personave që nuk dëgjojnë, u sigurohen falas akomodimi/fjetja, shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet, pas paraqitjes së librezës, të kartës shëndetësore si dhe të epikrizës, nga qendra spitalore e rrethit”, thuhet në vendim.
Pagesat suplementare
Nxënësit jetimë që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit parauniversitar, trajtohen me pagesë suplementare edhe për periudhën e pushimeve verore, nga njësitë e qeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale.
Fëmijët/nxënësit dhe mësuesit e institucioneve të arsimit special, me nevoja të veçanta psikosociale, pa konvikt, trajtohen me fonde të buxhetit të shtetit me një kuotë ushqimore (drekë), me vlerë deri në 150 (njëqind e pesëdhjetë) lekë në ditë, si dhe libra e fletore.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.