Arsimi profesional, degët më të preferuara: Hoteleri-Turizëm dhe Teknologji Informacioni
Detari, Gjeologji-Miniera, Kërkim dhe shfrytëzim nafte dhe gazi, janë këto degët e reja të hapura për të rinjtë të cilët zgjedhin arsimin profesional. Degët e sipërpërmendura synojnë përgatitjen e tyre sipas kërkesave aktuale të tregut duke shtuar kështu variantet e përzgjedhjes në arsimin profesional për vitin e ri shkollor.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Formimit Profesional, për vitin 2017-2018, degët më të preferuara rezultuan Hoteleri-Turizëm, Shërbime, Mekanik dhe Teknologji Informacioni ndërsa më pak të kërkuara, pavarësisht nevojës që ka tregu i punës, mbeten Bujqësia dhe dega për Përpunimin e Drurit.
Ndërkohë arsimi profesional është lakuar së shumti si mënyra më e sigurt për punësimin pas kualifikimit, i cili parashikohet të jetë rreth 46% të totalit të studentëve që mbarojnë studimet parashikuar kjo për 3 vitet e ardhshme, nga 42% që është aktualisht.
Gjatë vitit 2019 shteti do të shpenzojë rreth 3.4 miliardë lekë në mbështetje të programit “arsimi profesional”, nga 2.9 miliardë lekë që ka akorduar në vitin 2018 vëmendja e shtuar dhe investimi i qeverisë në këtë drejtim ka ndikuar ndjeshëm edhe në rritjen e numrit të të rinjve të cilët zgjedhin të studiojnë në programet e arsimit profesional.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.