Avancon ndarja e OSHEE/ Blerja e energjisë nga HEC-et i transferohet kompanisë së re!
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike duket se po avancon me ndarjen e kompanisë, proces që po shoqërohet edhe me ndryshime në drejtim të detyrimeve që kompania publike ka ndaj prodhuesve të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme.
Referuar një vendimi qeverie, të miratuar ditët e fundit të dhjetorit 2019 është përcaktuar se detyrimi i shërbimit publik për blerjen e energjisë elektrike nga hidrocentralet do i vendoset shoqërisë publike të furnizimit në tregun e lirë, që është pikërisht një prej kompanive të reja që është krijuar nga ndarja e OSHEE-së.
Ndërkaq, vendimi saktëson se kontratat ekzistuese, që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka me prodhuesit me përparësi të do të transferohen te furnizuesi i tregut të lirë, bazuar në aktet e brendshme ligjore/administrative ndërmjet shoqërive.
Po ashtu, vendimi i qeverisë saktëson se shoqëria publike e furnizimit në tregun e lirë, deri në krijimin e Operatorit të Energjisë së Rinovueshme dhe krijimin e tregut të ditës në avancë, do ta tregtojë këtë energji për mbulimin e humbjeve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes me të njëjtin çmim me të cilin e blen këtë energji nga prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike.
Ndërkohë që, në rast të tepricave të krijuara ato do të tregtohen në treg të parregulluar me çmimin që ofron ky treg në përputhje me kushtet dhe procedurat e përcaktuara nga Enti Rregullator i Energjisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.