Banka Botërore, projekt asistence për AMF për tregun e sigurimeve
Ecuria e projektit të asistencës së Bankës Botërore për AMF për tregun e sigurimeve ishte në fokus të takimit virtual mes Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete dhe ekipit të misionit të Bankës Botërore për sektorin financiar.
Projekti, i financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO) ka dy objektiva kryesorë: a) të forcojë kapacitetet e AMF-së për të rregulluar dhe mbikëqyrur tregun e sigurimeve dhe (b) të stimulojë zhvillimin e tregut të sigurimeve përmes rritjes së vetëdijes dhe besimit të konsumatorit.
Ekspertët e Bankës Botërore po asistojnë Autoritetin për hartimin e një metodologjie të treguesve të rrezikut në tregun e sigurimeve, bazuar në standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Përmes projektit të asistencës do të hartohet një udhërrëfyes i nivelit të lartë për zbatimin e regjimit evropian të Solvency II në tregun e sigurimeve. Kjo do të sjellë gjithashtu edhe një rishikim të kornizës ligjore dhe rregullatore në lidhje me mbikëqyrjen e grupeve të sigurimeve, si edhe rekomandime të ekspërtëve të Bankës Botërore për fushat kryesore të mbikëqyrjes së grupeve të sigurimeve.
Ekspertët e Bankës Botërore do të asistojnë Autoritetin në përmirësimin e kuadrit rregullator dhe rishikimin e procedurave të marrjes në administrim të përkohshëm dhe likuidimit të shoqërive të sigurimit. Gjithashtu, rritja e besimit të konsumatorit në tregun e sigurimeve, duke përfshirë transparencën dhe llogaridhënien e shoqërive të sigurimit, zhvillimi i një sistemi të monitorimit publik të cilësisë së shërbimit të siguruesve dhe performancës së kërkesë-ankesave janë disa nga objektivat e projektit të asistencës së Bankës Botërore për Autoritetin.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.