Basha ironizon paketën fiskale – “Për peshkun e zgarës 20% TVSH, aragosta 6% dhe pa tatim fitimi”
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka folur edhe njëherë për projektbuxhetin e vitit 2018 duke përsëritur shqetësimin për futjen e parave të pista në ekonomi. Basha e ka cilësuar “kafshim të ekonomisë publike dhe private” zhvendosjen e krimit të organizuar në vepra dhe shërbime publike, falë projektit “1 Miliard”.
Kryedemokrati është shprehur edhe për ndryshimet që planifikon paketa fiskale që shoqëron buxhetin, e cila sipas tij rëndon bizneset e vogla, por nga ana tjetër krijon lehtësira për ndërtimet e luksit.
“Që të hash peshkun e zgarës tek ai biznesi i vogël që mban frymën gjallë duhet të paguash 20% TVSH me këtë buxhet. Aragostën, ose ngjalën tek hotelet me 5 yje që duan të ndërtojnë oligarkët me baronët e drogës, do paguash vetëm 6% TVSH dhe për 10 vite ata nuk do paguajnë as tatim fitimi”, tha Basha.
Kryetari i opozitës vijoi duke thënë se ky buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë rrënues për shqiptarët dhe do t’i shërbejë vetëm oligarkëve përmes dy skemave, asaj të ndërtimeve luksoze dhe projektit “1 Miliard”. Sipas Bashës, kjo do të nënkuptojë më pak investime dhe shërbime në favor të popullit.
Teksa sqaroi se vota e Partisë Demokratike do të jetë kundër, Basha shtoi se ky është vetëm fillimi i një beteje, e cila do të zhvillohet në të gjitha format.
A.H./SCAN
Buxheti 2018 është shkrirja mes qeverisë, krimit dhe drogës për pastrimin e parave të pista! Kjo është e vërteta, të cilës do t’i qëndrojmë bashkë me shqiptarët!
Posted by Lulzim Basha on Monday, November 13, 2017
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.