BB vlerëson eurobondin – Emetim i suksesshëm, tregon besim në rritje
Banka Botërore vlerëson si të suksesshëm emetimin eurobondit nga qeveria shqiptare. E pyetur nga mediat, kryeekonomistja e zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, Hilda Shijaku, tha se tregjet financiare po tregojnë një besim në rritje te ekonomia shqiptare.
Sipas saj, ky emetim ishte në përputhje me strategjinë e menaxhimit të borxhit, përmes sigurimit të interesave më të ulët, me një maturitet më afatgjatë.
Në daljen e tretë në tregjet financiare ndërkombëtare, Shqipëria emetoi me sukses eurobonde në vlerën e 500 milionë eurove.
Maturiteti i eurobondeve të emetuara arriti në 7 vjet, nga pesë vjet që kishte qenë në emetimet e mëparshme, ndërsa kuponi ishte 3.55% në rënie të ndjeshme krahasuar me dy emetimet e mëparshme.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.