Bie ndjeshëm numri i infektimeve të reja në 24 orët e fundit, MSH: “13 humbje jete dhe 497 të shëruar”
Numri i infektimeve të reja me Covid 19 në vendin tonë ka disa ditë që po tregon trend ulës. Sot Ministria e Shëndetësisë raportoi për 389 raste të reja në 24 orët e fundit nga 422 që ishin një ditë më parë.
E njëjta gjë s’mund të thuhet për viktimat, pasi sot u raportuan 13 humbje jete krahasuar me 10 të një dite më parë.
NJOFTIMI I PLOTE
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të kufizojnë kontaktet me të tjerët, të qëndrojnë në shtëpi duke shmangur lëvizjet e panevojshme me qëllim parandalimin e COVID-19. Shmangni grumbullimet dhe vizitat tek të afërmit tuaj për të frenuar përhapjen e SARS-COV2.
Situata e COVID19 në 24 orët e fundit paraqitet si vijon:
Janë kryer 2420 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 389 qytetarë.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 497 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 29,249 që nga fillimi i epidemisë.
Numri i të shtruarve në spitale vijon të jetë i qëndrueshëm. Aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 344 pacientë, 19 në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar.
Megjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit nuk kanë arritur të fitojnë betejën me sëmundjen 13 qytetarë me Sars-Cov2 pozitiv në spitalet COVID.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.