Bie prodhimi i energjisë – Importet rriten me tetë herë
Prodhimi i energjisë elektrike në tremujorin e parë të vitit ra me dy herë e gjysmë. Të dhënat e Institutit të Statistikave konfirmuan përmbysjen e bilancit energjetik në vend krahasuar me një vit më parë.
Sistemi energjetik prodhoi ndjeshëm më pak energji, çka solli rënie drastike të eksporteve dhe rritje të lartë importeve. Në tre muaj, Shqipëria importoi mbi 900 GWH energji elektrike, rreth tetë herë më shumë krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Ndërsa eksportet energjisë ishin në vlerë të papërfillshme, ndërsa një vit më parë tejkalonin sasinë e 1200 GWH. Një tablo e tillë ishte e pritshme, për shkak të ndryshimit të kushteve hidrike në vend. Ndryshimet e prodhimit të energjisë elektrike janë një çështje që ndikojnë në mënyrë të ndjeshme ecurinë e parametrave ekonomikë të vendit.
Vitin e kaluar, prodhimi i lartë i energjisë ishte kolona kryesore e rritjes ekonomike, sidomos në gjysmën e parë të vitit. Por, në vazhdim prodhimi ra dhe, veçanërisht në tremujorin e katërt, kjo u reflektua në shifra dukshëm më të ulët të rritjes ekonomike. Ekspertët presin që një gjë e tillë të ndodhë edhe në gjysmën e parë të këtij viti, jo vetëm për shkak të prodhimit të ulët, por edhe ndryshimit të ndjeshëm në bazën krahasuese në raport me vitin 2018.
Energjia e importuar ka një kosto shumë më të lartë se ajo që prodhohet në vend, me një ndikim direkt edhe në buxhetin e shtetit.
Ndërkohë, tremujori i parë solli përkeqësim edhe për sa i takon treguesit të rëndësishëm të humbjeve në rrjet. Në tremujorin e parë, në total ky tregues u rrit në 25.3%, në rritje me dy pikë përqindje krahasuar me nivelin mesatar të vitit të kaluar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.