Biznesi në vështirësi – 2017, mbyllin aktivitetin 15 biznese italiane
Nga kompani konsulence, firma tregtare, fasonë, te lojërat e fatit, apo call center-at. Janë të paktën 15 kompani italiane që kanë mbyllur aktivitetin gjatë vitit 2017. Scan ka zbardhur kërkesat e bëra nga vetë subjektet për likuidimin apo prishjen e kompanive, ku njëherësh ftojnë kreditorët e mundshëm të paraqesin pretendimet.
Numri më i madh i kompanive italiane që kanë mbyllur i aktivitetin operojnë në fushën e konsulencës dhe të tregtisë. Disa prej kompanive operojnë në fushën e teknologjisë mjekësore dhe atë të mbrojtjes nga zjarri. Disa të tjera operojnë në tregun e pasurive të paluajtshme dhe atë të fasonëve.
Ndërkohë që mes tyre gjendet edhe një kompani lojërash fati. Nuk mungojnë as kompanitë Call center, të cilat, nga fundi i vitit të shkuar, gjenden në pozitë të vështirë për shkak të ashpërsimit të legjislacionit Italian për këtë sektor.
Secilës prej shoqërive i është caktuar një administrator për të mbikëqyrur procedurat e likuidimit, me qëllim shqyrtimin e çdo pretendimi të mundshëm nga ana e kreditorëve. Ndërkohë që, pronarët apo ortakët e disa prej tyre, kanë zgjedhur të zbatojnë vetë procedurat e mbylljes së aktivitetit.
Italia është shteti me numrin më të madh të kompanive që operojnë në vendin tonë. Sipas INSTAT, aktualisht Shqipëria numëron mbi 2.660 biznese me kapital italian, pjesa më e madhe e të cilave operon në fushën e shërbimeve.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.