Blerjet në internet dhe krimet kibernetike – Policia informon mbi mënyrat e sigurisë gjatë transaksioneve online
Policia e Shtetit njofton se Shqipëria mori pjesë në një tjetër operacion ndërkombëtar të udhëhequr nga EUROPOL, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kibernetike ku morën pjesë autoritetet e zbatimit të ligjit në: Austri, Belgjikë, Kolumbi, Kroaci, Greqi, Hungari, Irlandë, Itali, Gjeorgji, Holandë, Maqedoni e Veriut, Poloni, Portugali, Slloveni, Sllovaki, Spanjë, Zvicër dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mbështetura edhe nga Këshilli i Rrezikut të Tregtarëve, duke zhvilluar një operacion në shkallë të gjerë, nga data 1 deri në datën 31 tetor, si pjesë e Veprimit të Tregtisë Elektronike 2021.
Sipas informacionit Modus operandi i kësaj veprimtarie kriminale përfshinte përdorimin e disa aplikacioneve në telefonat celularë, të cilat lidheshin me bankat për të kryer transferime dhe blerje në mënyrë të paligjshme dhe si rezultat i operacionit u arrestuan 28 persona në vendet pjesëmarrëse, si të dyshuar për mashtrimin me transaksione.
Policia informon se në vijim të këtij operacioni ndërkombëtar, të gjitha vendet pjesëmarrëse do të promovojnë fushatën duke përdorur hashtagun #SellSafe, për të ndihmuar shtetasit e tyre që të kuptojnë rreziqet e mashtrimit gjatë tregtisë në rrjet.
Sipas njoftimit qëllimi i fushatës është të bëjë tregtinë elektronike më të sigurt, duke promovuar metoda të sigurta blerjeje në internet dhe duke ndihmuar tregtarët e rinj të hapin dyqanin e tyre të parë në rrjet, duke shmangur rrezikun e sulmeve kibernetike dhe Policia e Shtetit kërkon prej qytetareve që të bëjnë kujdes duke zbatuar disa rregulla të thjeshta, por të domosdoshme për sigurinë e tyre në rrjet.
Ja se si të mbroheni kur shisni produkte në rrjet nga mashtruesit në internet:
– Sigurohuni që të gjithë punonjësit tuaj të jenë të vetëdijshëm për çështjet e mashtrimit që prekin dyqanet në rrjet;
– Qëndroni të përditësuar mbi llojet e mashtrimeve të pagesave në rrjet që prekin këto lloj biznesesh dhe sigurohuni që të keni mjetet në dispozicion për t’i parandaluar ato. Institucionet e sigurisë, por dhe bankat me të cilat bashkëpunoni do të kenë detaje mbi llojet e mashtrimit të pagesave në rrjet. Kontaktojini!
– Njihini klientët tuaj, në mënyrë që të jeni në gjendje të verifikoni pagesat e tyre.
Këshilla për blerësit në internet:
– Asnjëherë mos dërgoni me e-mail numrin e kartës suaj, PIN-in ose ndonjë informacion tjetër të kartës;
– Asnjëherë mos i dërgoni para dikujt që nuk e njihni;
– Ruani gjithmonë të gjitha dokumentet që lidhen me blerjet tuaja në rrjet;
– Nëse nuk po blini asgjë, mos i paraqitni të dhënat e kartës suaj;
Policia e Shtetit fton qytetarët që për çdo informacion që do t’iu nevojitet, problematikë apo denoncim të kontaktojnë Njësinë e Hetimit të Krimeve Kibernetike në adresën e postës elektronike: [email protected], në numrin e telefonit 0694155552, si dhe në aplikacionet Whatsapp, Viber etj.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.