“Blindohet” kufiri shqiptar- Policia gjermane i dhuron 10 automjete të reja, kamera termike dhe dylbi policisë shqiptare!
Policia gjermane i ka dhuruar policisë shqiptare 10 automjete të reja. Në total, automjetet dhe pajisjet e dhuruara për ruajtjen e kufirin kapin shifrën e mbi 300 mijë eurove
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të automjeteve dhe pajisjeve të sofistifikuara për kufirin, të dhuruara nga qeveria gjermane. Në ceremoni ishin të pranishëm Ambasadorja e RFGj Susanne Schütz, e shoqëruar nga zyrtarë të tjerë të ambasadës, Zëvëndësdrejtorja e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj dhe zyrtarë të tjerë të lartë të DPSH.
Ministri Lleshaj nënvizoi ndihmën dhe mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë përgjatë mbi 2 dekadash në fusha të ndryshme, duke vënë theksin në asistencën e çmuar ndaj Policisë së Shtetit.
Ndërsa Zëvëndësdrejtorja e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj, duke folur për aspekte teknike të mjeteve dhe pajisjeve të dhuruara nga qeveria gjermane, bëri me dije se “Policia Federale Gjermane dhuron 10 automjete të reja tip “Dacia” për strukturat e Policisë Kufitare dhe të Migracionit në të gjithë vendin, në një vlerë prej 134.000 euro, duke bërë të mundur, që këto struktura brenda një harku kohor prej pothuaj një viti të pajisen me 40 automjete të reja”.
Më tej Hajnaj bëri të ditur edhe ndihmën në pajisje të teknologjisë së lartë që do të përdoren nga strukturat e ruajtjes së Kufirit.
“Në kuadër të kësaj mbështetje sot dhurohen edhe sisteme optike vrojtimi për ditën dhe natën, të domosdoshme për mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, si:
– 20 kamera termike mjaft cilësore dhe aksesorët e tyre, të cilat ofrojnë një gamë të gjerë vrojtimi dhe zbulimi natën, përmes një cilësie shumë të lartë të imazhit, duke mundësuar një identifikim të objekteve në distanca të largëta dhe regjistrim në video me kualitet të lartë, të projektuara për ti bërë ballë edhe kushteve ekstreme të motit.
-10 dylbi për pamje natën, pajisje profesionale me rreze infra të kuqe për vëzhgime të zmadhuara në kushtet e mungesës së reduktuar ose të plotë të dritës.
-10 dylbi për pamje ditën dhe një sërë pajisjesh të tjera për shërbimet e policisë kufitare në terren”.
Ndërsa Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë znj. Susanne Schütz, vuri në dukje se Qeveria Federale Gjermane është duke bashkëpunuar ngushtë me Shqipërinë dhe Policinë e Shtetit, përkatësisht me Drejtorinë e Policisë së Kufirit në vend. Duke folur për bashkëpunimin me dy vendeve, ajo u shpreh “u siguroj që ne do të vazhdojmë të kontribuojmë edhe më tej përmes trajnimeve dhe ndihmës në pajisje, në konsolidimin operativ dhe strategjik të Policisë shqiptare të Kufirit”.
“Krahas kësaj ne do të vijojmë bashkëpunimin e ngushtë me ju dhe Policinë e Shtetit në fushën e luftës kundër krimeve të rënda dhe krimit të organizuar. Në të dy rastet ky është një kontribut për sigurinë tonë të përbashkët në Europë” tha ambasadorja gjermane.
Ambasadorja gjermane tha se ekspertët e Policisë Gjermane të atashuar në Shqipëri kanë bërë vizita periodike në stacionet e policisë kufitare dhe në kufirin të gjelbër me Greqinë dhe në këtë mënyrë kanë “krijuar një ide shumë të qartë rreth gjendjes në segmentet e kufirit shqiptar, por edhe rreth nevojës për një bazë më të mirë materiale në funksion të përmbushjes së një veprimtarie me kaq përgjegjësi, sikundër është ajo e kontrollit të kufijve”.
Ajo vlerësoi punën e bërë nga oficerët ndërlidhës të Policisë gjermane në Tiranë, qoftë në drejtim të shkëmbimit të informacionit edhe të këshillimit në nivel strategjik për çështje të ruajtjes së kufirit.
Në fund të ceremonisë, Zv.drejtorja e Policisë Hajnaj dhe Ambasadorja gjermane Schütz nënshkruan aktin e dhurimit të automjeteve dhe pajisjeve të tjera.
Autoritetet e pranishme inspektuan nga afër mjetet e ekspozuara në sheshin para Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.