Bllokohen 41.7 ton banane nga AKU – Reagon Çuçi: Zero tolerancë ndaj kujtdo që abuzon me cilësinë e produkteve
Zero tolerancë ndaj kujtdo që abuzon me cilësinë e produkteve që ne konsumojmë. Deklarata ka ardhur nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledar Çuçi, i cili ka reaguar menjëherë pas bllokimit të 41.7 ton banane nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Durrës të cilat vinin nga Kosta Rika.
Ndërsa ka theksuar se siguria ushqimore është pjesë e sigurisë kombëtare, Çuçi u ka bërë apel të gjithë inspektorëve të AKU-së që të jenë të vëmendshëm ndaj çdo rasti abuziv.
Reagimi i plotë:
“Kur vjen fjala tek siguria ushqimore zbatimi i ligjit do të jetë pa kompromis. Zero tolerancë ndaj kujtdo që abuzon me cilësinë e produkteve që ne konsumojmë. Vlerësoj aksionin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Durrës për bllokimin e 41.7 tonëve banane me probleme për konsum njerëzor. Inkurajoj të gjithë trupën e inspektorëve të AKU-së kudo në Shqipëri të tregohen vigjilentë ndaj çdo rasti dhe të zbatojnë ligjin me rigorozitet. Po kështu ftoj qytetarët të jenë bashkëpunues me AKU-në duke denoncuar rastet e produkteve të papërshtatshme për konsum. Le të jemi të ndërgjegjshëm se siguria ushqimore është një sfidë e përbashkët. Krahas punës së AKU-së dhe institucioneve të tjera, kontributi i qytetarëve është i domosdoshëm për të patur në tregjet tona produkte cilësore. Siguria ushqimore është një komponent i rëndësishëm i sigurisë kombëtare, prandaj ne do të bëjmë çdo përpjekje që shqiptarët të konsumojnë produkte me standarde.”
SCAN
Banane nga Costa Rika – AKU bllokon dhe kthen në origjinë 41.7 ton
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.