Britanikja “Express”: Anëtarësimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE po sjell “luftën” Merkel – Macron në horizont
E përditshmja britanike “Express” nëpërmjet një shkrimi në faqen e saj, nga reporteri në Bruksel, Joe Barnes thekson faktin se si takimi i kancelares gjermane Merkel me kryeministrin Rama, ishte një shfaqje që tregon mbështetjen për pranimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
“Ndërhyrja e Merkel ka të ngjarë të shkaktojë fërkime midis Berlinit dhe Parisit, ku Presidenti Emmanuel Macron tashmë ka vendosur veton nga procesi zyrtar i zgjerimit.” – shkruhet në artikullin britanik.
Më tej në shkrim theksohet mesazhi që Merkel dha përpara botës se “nga ana gjeopolitike pranimi i Ballkanit Perëndimor në BE është diçka e mirë për të gjithë dhe se ajo dëshiron që të ketë datën e hapjes së negociatave në samitin e Zagrebit në mars”.
“Express” e ka përshkruar këtë lëvizje si një “përçarje brenda korridoreve të pushtetit sepse të paktën nëntë vende të BE-së kanë kundërshtuar propozimet franceze.”
Në Samitin e Liderëve të zhvilluar në tetor, Franca vendosi të mos hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut e mbështetur në këtë vendim nga Danimarka dhe Hollanda, mirëpo kjo pritet të sjellë përplasje mes dy fuqive të mëdha europiane, të cilat kanë mendime krejt të kundërta sa i përket procesit të zgjerimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.