Bujqësia sociale – Rrapaj: Ka mungesë financimi për fermerët
Mungesa e financimit dhe disbursimit te fondeve si dhe disa ligje që janë aktualisht në fuqi po pengojnë zhvillimin e bujqësisë sociale dhe agrobiznesit. Deklarata është bërë nga kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shiqptar, Agim Rrapaj, gjatë një forumi të përbashkët me ekspertë italianë. Rrapaj shtoi se krijimi i një tregu të lirë do të pasohet me vështirësi për mbi 300 mijë familje fermere për shkak të rritjes së kostove.
“Shqipëria është në vështirësi jashtëzakonisht të mëdha nëse ne do të hapim edhe kufitë me Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi, sepse ne kemi kosto dhe kjo fashë e madhe e 300 fermerëve, ne kemi kosto jashtëzakonisht të mëdha. Çfarë mund të bëjmë ne lidhur me këtë temë kaq të rëndësishme siç është bujqësia sociale, agrobiznesi dhe përkrahja nda qytetarëve në nevojë? Kjo filozofi e re e kësaj zyre dhe ardhja e presidentit të ‘INAC’-ut është për ne një mbështetje jashtëzakonisht e madhe. Prezenca sot e ambasadorit është një kurajo mjaft e madhe për ne që të ecim në këtë rrugë, në këtë histori suksesi”, tha Rrapaj.
Ndërkaq, sipas kreut të Biznes Albania, Luan Bregasi sipërmarrja duhet të orientohet më tepër drejt biznesit social.
“Business Albania e përshëndet këtë projekt shumë interesant dhe do t’i japim të gjithë mbështetjen tonë për ta finalizuar këtë gjë. Duhet të orientohemi, pavarësisht angazhimeve dhe vështirësive që ka biznesi, sepse është një sektor totalisht privat, por në këtë lloj dimensioni bëhet fjalë për një projekt më të madh, për një koncept mbështetjeje dhe ndihme për qytetarët dhe bizneset sociale në mënyrë të veçantë”, tha Bregasi.
I pranishëm në forum ishte edhe ambasadori italian në vendin tonë, Alberto Cutillo si dhe përfaqësues të Institutit Kombëtar Italian të Asistencës për Qytetarët “INAC”.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.