Bursa shqiptare është gati! -Banka e Shqipërisë licencon ALREG si operator pagesash
Kompania ALREG është licencuar nga Banka e Shqipërisë si operator i sistemit për shlyerjen e titujve. Ky licencim i hap përfundimisht rrugën listimit të kompanive private në Bursën Shqiptare të Titujve, ALSE. Regjistri është një hallkë e domosdoshme për funksionimin e tregut të titujve, sepse aty administrohen të dhënat dhe të drejtat e pronësisë mbi to.
ALREG ishte licencuar si regjistër titujsh nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në muajin janar të këtij vitit. Por, për të kryer plotësisht funksionin e vet në shërbim të tregtimit të titujve, nevojitej edhe një licencë nga banka qendrore për të vepruar si operator pagesash.
Përmes këtij funksioni, ALREG do të kryejë në mënyrë të njëkohshme transferimin e të drejtës së pronësisë mbi titujt e tregtuar dhe kryerjen e pagesës nga blerësi për te shitësi.
Bursa Shqiptare e Titujve ALSE, nisi aktivitetin në shkurt të vitit të kaluar, me tregtimin e bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare. Që nga shkurti i këtij viti, ajo është ligjërisht e licencuar edhe për të tregtuar titujt e kompanive private. Licencimi i plotë i ALREG mundëson tashmë që Bursa të mund të kryejë edhe në praktikë një tregtim të tillë.
Vitet e fundit, potencialet për zhvillimin e bursës në Shqipëri janë në rritje. Disa kompani, kryesisht brenda sektorit financiar, kanë aplikuar me sukses emetimin e obligacioneve me ofertë private.
Hapja e Bursës do të mundësojë që obligacionet, por eventualisht edhe aksionet e reja të shoqërive tregtare, të emetohen edhe me ofertë publike.
Oferta publike do të mundësojë kuotimin e një çmimi më të drejtë emetimi dhe tregtimin e vazhdueshëm dytësor të këtyre titujve.
Bursa do t’iu mundësojë gjithashtu bizneseve rritjen e kapitalit përmes emetimit të aksioneve të reja, duke i dhënë mundësi publikut të gjerë për t’u bërë aksionet në këto kompani.
Për publikun e gjerë, titujt e kompanive private krijojnë alternativa të reja dhe kthime më të larta nga investimi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.