Buxheti për institucionet kushtetuese, Fino: “I mjaftueshëm, nuk keni realizuar ende investimet e parashikuara në buxhetin 2020”
Komisioni parlamentar i Ligjeve ka hedhur poshtë kërkesat e shumicës së institucioneve kushtetuese për shtim fondesh në buxhetet e tyre, si nevojë kryesisht për investime. Sipas deputetit të PS, relator në këtë komision, Bashkim Fino, fondet e akorduara nga Ministria E Financave për vitin e ardhëm janë të kënqashme. Fino ngriti si shqetësim mos realizimin e investimeve në masën mbi 60% të parashikuara në fondin e akorduar nga buxheti i shtetit, për vitin 2020 nga shumica e këtyre institucioneve
“Nuk e di ndonjë sqarim për investime pse janë bërë kaq pak. Nuk e di ç’kanë ndodhur në dy muajt e fundit, por të kesh 208 milionë lekë për investime dhe të realizosh për tetë muaj 11 milionë, pra ngelen dhe 200 të tjera dhe të parashikosh edhe 200 të tjera për vitin e ardhshëm, unë do të thoja që Ministria e Financave qoftë ajo e cila akordon kaq shumë lekë për investime, kur këta nuk i realizojnë.”
Pas dëgjesës me kreun e Shkollës së Magjistraturës, komisioni vendosi disbursimin e buxhetit për magjistratët me 50% te pagës dhe shtim të punonjësve.
“Studentët tanë marrin bursë deri në 50% të pagës së gjyqtarit dhe kjo është një çështje që e ka zgjidhur ligji që në vitin 1997. Aktualisht numri i i studentëve është shumëfishuar. Sot kemi rreth 130 prej tyre dhe për rrjedhojë duhet shtuar niveli i buxhetit për këtë çështje.” – u shpreh Arben Rakipi, drejtor i shkollës.
“Absolutisht ne do t’ju japim fondet. Por, nëse do të na jepni numrin e saktë të studentëve, absolutisht 50% e pagës do t’jua kalojmë.” – replikoi Fino.
Sipas përfaqësuesve të komisionit fondet e akorduara nga Ministria E Financave për vitin 2021 për këto institucione përmbushin nevojat e tyre të cilat më pas varen nga manaxhimi i secilit.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.