Call center, pika ushqimore dhe lokal- Policia procedon 6 biznese në Tiranë dhe Durrës
Policia e Shtetit ka njoftuar se janë proceduar 6 administratorë subjektesh, si rrjedhojë e kontrolleve të befasishme. Prej këtyre, 4 janë pika ushqimore në zonën e Kasharit, Tiranë, si dhe 2 në Durrës, përkatësisht një lokal dhe një call center.
“Pas hetimit me metoda speciale, nëpërmjet ndjekjes së linjës të tregtimit të fruta-perimeve (kryesisht të produkteve mollë, portokalle, limonë), u identifikuan subjekte, ku u ushtruan kontrollet përkatëse, bazuar në deklaratat e disa subjekteve (tregtar të pikave të pakicës)” shkruan Policia lidhur me 4 pikat ushqimore në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, 4 pikat e shumicës në tregun agro-ushqimor në zonën e Kasharit, dyshohet se kanë përpiluar fatura tatimore me shitje fiktive të çmimeve të produkteve, të cilat i tregtonin në pikat e pakicës. Po ashtu, policia njofton se kanë ushtruar aktivitetin e tyre tregtar, duke mos e pasqyruar me dokumentacionin përkatës, ku u administruan dhe materiale te tjera jotatimore.
“Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprat penale “Fshehja e te ardhurave”, “Mospagim i taksave dhe tatimeve” dhe “Manipulim i tregut” shkruhet më tej në njoftimin zyrtar.
Nga ana tjetër, në qytetin e Durrësit është gjobitur me 700.000 lekë administratori i një call center-i, pasi u konstatua se punonjësit nuk ishin të pajisur me masa mbrojtëse. Po ashtu, nga kontrollet e bëra është gjobitur me 100.000 lekë edhe një bar kafe, i cili vazhdonte të ushtronte aktivitetin e tij si normalisht.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.