“Çelet” buxheti i shtetit – Thesari kalon pagat, shpenzimet dhe fondet e investimeve
Ditën e mërkurë është bërë operativ buxheti i shtetit. Burime zyrtare nga Ministria e Financave, bëjnë të ditur për TV SCAN, se fondet e buxhetit të shtetit dhe thesari janë bërë operativë çka do të thotë që janë çelur fondet për pagat e administratës publike, shpenzimet dhe investimet publike.
Buxheti i vitit 2018 do të mbështesë rritjen ekonomike dhe vazhdimin e reformave të rëndësishme tashmë të nisura, ndërsa investimet publike kanë në fokus infrastrukturën.
Treguesit kryesorë të buxhetit janë të ardhurat për këtë vit janë parashikuar në vlerën 464.7 miliardë lekë, ose 28.2% të PBB, ku peshën kryesore të tyre do e mbajnë te ardhurat nga tatimet dhe doganat me 317.5 miliardë lekë.
Më pas renditen të ardhurat nga fondet speciale me 88 miliardë lekë, të ardhurat jo tatimore me 25.7 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat nga pushteti vendor janë planifikuar në masën 18.7 miliardë lekë.
Po sipas këtij ligji shpenzimet buxhetore janë parashikuar në masën 497 miliardë lekë, ose 30.1 % e PBB.
Edhe në këtë vit pjesën “ e luanit” e zënë shpenzimet korrente me 407.9 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet kapitale janë planifikuar në vlerën 86.3 miliardë lekë ose 5.2 % e PBB.
I gjithë viti buxhetor është parashikuar të shoqërohet nga një deficit prej 32.3 miliardë lekë, ose 2 % e PBB.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.