Cilësia, bllokohen 550 ton naftë – Inspektim në rafinerinë e Ballshit, Balluku: S’mund të tregtohej, do ripërpunohet
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bllokuar 550 ton naftë në Rafinerinë e Ballshit, pasi nuk mund të hidhej në treg për shkak të cilësisë së dobët.
Pas nisjes së aksionit kundër informalitetit në cilësinë e karburanteve, në këtë rafineri është zhvilluar një inspektim i papritur, ndërkohë që sipas ministres Belinda Balluku, sasia e bllokuar do të ripërpunohet dhe rianalizohet, për të parë nëse mund të hidhet në treg.
Pak ditë më parë ministria dhe Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial njoftuan intensifikimin e kontrolleve në drejtim të informalitetit cilësor të karburanteve, të cilin Balluku e cilësoi si të njëjtë me informalitetin fiskal.
Sipas ministres, masat do të shkojnë deri në mbyllje të aktivitetit, ndërkohë që nuk do të diferencohet asnjë subjekt.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.