COVID-19 nuk ndali investimet – 7-mujori, 290 milion euro për punë publike, shifra më e lartë në 7 vjet
Pavarësisht se ky vit nuk ishte normal për qytetarët dhe buxhetin e shtetit për shkak të përhapjes së pandemisë COVID-19, e cila detyroi Ministrinë e Financave të rishikojë dy herë treguesit si dhe ndali hovin e investimeve publike gjatë muajve Mars dhe Prill, duket se ritmi është kapur rrugës. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Fiancave të përpunuara nga TV SCAN, vihet re se përpos vështirësive, 7-mujori i këtij viti, kap shifrën më të lartë të parave të disbursuara për investime publike në 7 vitet e fundit.
Konkretisht për periudhën Janar-Korrik 2020 për investime kapitale kanë shkuar afro 36 miliardë lekë apo 290 milionë euro, me një rritje progresive nga viti në vit. Po të shikojmë shifrat, investimet kapital në 7 mujorin e vitit 2014 rezultojnë në 24 miliardë lekë, kanë pësuar një rënie në 2016-ën në 20 miliardë lekë dhe më tej kanë ardhur në rritje të përvitshme.
Peshën më të madhe e zënë investimet me finacim të brendshshëm. Rritja e disbursimeve për punë publike vjen edhe si rrjedhojë e rritjes së buxhetit për këtë qëllim, ku vitet e fundit është ruajtur një mesatare prej 4.7-5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.