Credins mbështet agrobiznesin – Kredi Agro dhe konsulencë për fermerët në të gjithë vendin
Credins Bank zhvilloi nje takim në qytetin e Roskovecit ku mirëpriti më shumë se 50 fermerë nga Berati, Lushnja, Fieri dhe qytete të tjera të vendit. E pranishme në këtë takim ishte dhe kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, e cila përgëzoi Credins Bank për nismën e marrë në mbështetje të agrobiznesit.
“Njerëzit kanë nevojë për shërbime aty ku ata jetojnë, aty ku ata zhvillojnë jetën dhe aktivitetin e tyre. Unë jam e bindur që çdo vend ka zonat e veta te zhvilluara, qendrat urbane, të cilat kanë specifikën e vet. Aty ku jeta është reale, dhe në zonën më të largët rurale, njerëzit kanë nevojë për këtë shërbim. Jam shumë e bindur që sa më shumë aktivitete dhe shërbime të tilla ne t’i ofrojmë fermerit, sadopak ai do të përfitojë nga kjo gjë” tha kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi.
Gjatë eventit, përfaqësuesit e Credins Bank informuan fermerët mbi mundësitë dhe procesin e kredive për agrobiznesin si dhe ofruan konsulencë për mënyrën e aplikimit.
“Në fakt fermerët nuk kanë shumë informacion për produktet bankare në përgjithësi dhe as për fondet e pensionit vullnetare. Së pari sepse është një produkt relativisht i ri dhe sepse tregu akoma nuk ka marrë sasinë e duhur të informacionit në mënyrë frekuente për produktet e reja që kanë hyrë në treg së fundmi” u shpreh Anila Bregasi, Menaxhere e Zhvillimit të Biznesit, Credins Bank.
Credins i dha vëmendje të veçantë njohjes se fermerëve me njëri-tjetrin, duke nxitur në këtë mënyrë interesat e përbashkëta dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet tyre.
“Zhvilluam një takim shumë të suksesshëm. Mësuam të dyja palët, mësuan klientët tanë, mësuan bujqit blegtorët, mësuam edhe ne nga hallet dhe problemet e tyre. Mendoj që në fund të dyja palët dolën të kënaqura, klientët shfaqën shumë interes dhe do të vijnë pranë bankave për të bërë kërkesat e tyre në drejtim të kredive” tha Artan Ferati, Drejtori i Rajonit të Jugut, Credins Bank.
“Pjesëmarrja ishte goxha e kënaqshme. Fermerët ishin shumë të interesuar pasi kjo është një zonë bujqësore e cila merret me prodhimin bujqësor. Kjo pasi ka sipërfaqe masive të serave dhe perspektiva e saj është në shtime të vazhdueshme” nënvizoi drejtori i Bujqësisë së Bashkisë Roskovec, Asqiri Ruko.
Credins Bank do të vazhdojë iniciativën e ndërmarrë për mbështetjen e agrobiznesit dhe në muajt e ardhshëm do të organizojë takime mes fermerëve në zona të tjera të Shqipërisë.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.