Çregjistrimi/ pezullimi i aktivitetit – DPT publikon hapat administrativë që ndërmerren në këto raste
Është shtuar numri i aplikimeve për çregjistrim apo pezullim të aktivitetit pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit nga tatimpaguesit që janë penalizuar për shkelje të ndryshme tatimore apo që kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore apo ato të cilët kanë hyrë për herë të parë në skemën e TVSH-së sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve . Nisur nga kjo, DPT ka paraqitur edhe masat administrative që merren ndaj këtij fenomeni.
DPT udhëzon se pas verifikimit në vend, rezulton e provuar se tatimpaguesi që ushtron aktivitet në atë ambient, ka lidhje familjare me tatimpaguesit që ka aplikuar për mbyllje apo pezullim të aktiviteti, Drejtoria Rajonale Tatimore do t’i komunikojë tatimpaguesit ndërmarrjen e hapave administrativë që vijojnë si më poshtë:
“Ndryshimi i përgjegjësisë tatimore, duke e ngarkuar atë me të njëjtat përgjegjësi tatimore që ka patur tatimpaguesi/personi i lidhur para aplikimit për mbyllje aktiviteti, pavarësisht xhiros së pritshme të deklaruar nga ana e tij.
Kërkesa nga ana e Administratës Tatimore kundrejt tatimpaguesit për të shlyer detyrimet tatimore, si dhe aplikimi i masave shtrënguese për vjeljen e detyrimeve të papaguara të tatimpaguesit/person i lidhur, i cili ka ushtruar të njëjtin aktivitet në të njëjtin ambient dhe që aktualisht ka aplikuar për mbyllje/pezullim aktiviteti.
Numërimi i konstatimeve për zbatimin e penaliteteve të përcaktuara sipas pikave 1/a/ii dhe 1/b/ii të nenit 122, të Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, do të bëhet duke përllogaritur edhe konstatimet e kundravajtjeve të konsumuara nga ana e tatimpaguesit/person i lidhur, i cili ka ushtruar të njëjtin aktivitet në të njëjtin ambient dhe që aktualisht ka aplikuar për mbyllje aktivitet/pezullim aktiviteti. Pra, për tatimpaguesit që kanë ndryshuar status (kaluar pasiv,etj.) dhe para se të bënin një gjë të tillë janë konstatuar me një shkelje (shkelja e parë), shkelja e konstatuar pas ndryshimit të statusit, konsiderohet shkelja e dytë në numër.
Tatimpaguesit e përfshirë në listën e tatimpaguesve për regjistrim në TVSH më 1 Prill, do të regjistrohen për TVSH-në edhe nëse kanë kaluar me status pasiv gjatë periudhës 1 Janar – 31 Mars 2018.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.