Çudia me internetin në Shqipëri – Ai në celular dy herë më i shpejtë se i shtëpisë
Shqipëria është e 46-ta në botë sa i përket shpejtësisë së internetit për telefoninë lëvizëse, ndër 123 vende të ndryshme të globit, thotë Speedtest, që është serveri më i madh në botë për matjen e shpejtësisë së internetit.
Indeksi Global i internetit thotë se, në Shqipëri, për vitin 2017, në të dhënat e matura në Dhjetor, shpejtësia e internetit rezulton të jetë në 26.74 Mb/s, të paktën sa i përket shpejtësisë së shkarkimit.
Kjo do të thotë se, në Shqipëri shpejtësia e internetit është më e lartë se në Gjermani, por më e ulët se thuajse të gjitha vendet e tjera të rajonit, me përjashtim të Bosnje Hercegovinës.
Sa i përket internet me brez të gjerë ndërkohë, që vjen në shtëpitë e qytetarëve, Shqipëria fatkeqësisht renditet vetëm e 96-ta në botë, ndër 129 shtete. Kjo e vendos në vend të fundit në Europë dhe rajon për rrjedhojë, me një shpejtësi shkarkimi në 12.99 Mb/s.
Ajo që bën çudi është fakti se, për telefoninë celulare interneti është dy herë më i shpejtë se në atë fikse. Në pjesën dërrmuese të vendeve të botës, e sidomos të vendeve që janë në krye të listës, vlen tërësisht e kundërta, pasi interneti që vjen në shtëpi është disa herë më i shpejtë se ai në telefonat celularë.
Me përjashtim të Bosnje Hercegovinës, ky rregull i mbrapshtë vlen edhe për vendet e tjera të rajonit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.